Jo Droges Blog

Sunday, March 6, 2011

Droga tek të rinjtë, dhe profilaksia ndaj saj



Konteksti i përgjithshëm ekonomik, politik, shoqëror, kulturor dhe edukativ i Kosovës, favorizoi edhe shfaqjen dhe përhapjen e shumë dukurive me karakter negativ për shëndetin, e moralin mendor tek të rinjtë. Kështu për një kohë të shkurtër, edhe në Kosovë, kohë më parë ke mundur të shohësh pankarta të mëdha nëpër rrugët e gjitha qyteteve me foto ku shkruan rreth kësaj dukurie të re. Një gjë e tillë për ndonjë vend tjetër mund të mos tërheq vëmendjen askujt, mirëpo për rrethanat tona në Kosovë ishte një goditje e llojit të vet. Sepse marrë në përgjithësi trevat shqiptare, dhe Kosovën në veçanti, kjo dukuri me ndikim tepër negativ nuk ka ndonjë histori jetëgjatë. Shoqëria jonë ishte pjesë e një sistemi patriarkal, ku lidhja dhe solidariteti brenda anëtarëve të shoqërisë ishte shumë i fort, respektimi i vlerave tradicionale dhe fetare ishin më stabile dhe më imune ndaj dukurive negative, që gjithsesi shpinin në ruajtje e institucionit të shenjtë të quajtur familje. Mirëpo kjo gjendje me këtë sistem, nuk vazhdoi edhe pas konfliktit të fundit në Kosovë, sepse lufta e fundit në Kosovë ishte edhe një rast i “mirë” për t’i dhënë shtytje dukurive negative në të gjitha sferat e jetës, pra marrë në përgjithësi lufta në Kosovë i dha shkas dhe mundësi favorizuese shumë dukurive negative. Tashmë do të duhej llogaritur se shoqëria jonë është duke kaluar fazën më të vështirë të këtij tranzicioni. 

Pas largimit të forcave serbe nga Kosova, do të vendoset administrimi Ndërkombëtar ku pas vetës, për pasoj, edhe numri i të huajve sa vinte e rritej, qofshin këta ushtarak, apo edhe civil. Kjo bëri që Kosova për herë të parë në historinë e saj më të re të ballafaqohet me një fluks aq të madh të të huajve, dhe që u përkisnin kulturave, traditave dhe civilizimeve të vendeve të ndryshme. Tani, Kosova u bë një vend dhe një rast i përshtatshëm për të shtrirë ndikim e tyre shoqëri të ndryshme të panjohura për ne, me dukuri negative siç janë; narkomania, alkoolizmi, prostitucioni, kumari, trafikimi i krijesave njerëzore dhe krimi i organizuar kanë qen të panjohura, dhe bile as që është folur ndonjëherë në shoqëritë shqiptare për këto dukuri. Të gjitha këto s’bashku zënë fill në decenien e fundit, dhe për më tepër si trend i kohës fituan epitetin e një “qytetërimi” të ri dhe që karakterizon edhe të “riun modern”. 



Si erdhi deri te kjo shoqëria shqiptare?



Varshmëria nga droga ishte universale, por jo edhe te ne, mirëpo, kjo nuk zgjati edhe shumë ngase edhe Kosova hyri në univers për një kohë, madje edhe atë shumë të shkurtër. Ajo filloi të kontribuoj në “zhvillimin e këtij biznesi” duke shkatërruar gradualisht edhe vetveten. Sepse edhe llogaritet se në aspektin gjeografik Kosova është favorizuese e shumë bizneseve, pra kështu bëri që ky vend të bëhet vend ideal për trafikimin e drogës nga vendet e Lindjes e Perëndimit, pastaj këtë mundësi shfrytëzuan në mënyrën perfektë të gjithë ata grupe që kishin përvojë të mirë në këtë drejtim në të njëjtën kohë duke nxitur edhe krijimin e shumë organizatave në përhapjen e këtij biznesi me shumë përfitime të mëdha. Shoqëria shqiptare, dhe institucionet në veçanti, nuk e shihnin, dhe shohin të udhës që të ndërgjegjësojnë rinin së paku deklerativishtë për të potencuar të gjitha ato dukuri që shpijnë në prishjen e çdo shoqërie. Gjithashtu, kjo mund të vije edhe si rezultat që rinia jonë nuk mund të informohet sa duhet rreth kësaj sëmundje, për vet faktin se ne nuk kemi ndonjë program shtetëror kundër narkomanisë që në raste të tilla rolin e vet të pazëvendësueshëm do ta jepnin të gjitha strukturat dhe institucionet shoqërore e shtetërore, siç mund të përmendim, shërbimin shëndetësor, mediumet, sistemi i përgjithshëm arsimor, feja e shumë të ngjashme. Një mënyrë tjetër e vetëdijesimit mund dhe duhet bërë përmes shembujve të gjallë në të cilat janë duke kaluar shoqëritë para nesh. Por të gjithë këta që u përmenden nuk gjetën forcë dhe mendim të drejt për të ndërhyrë dhe reaguar, ngase sipas tyre kjo krizë konsiderohej si problem që duhet zgjidhur nga të prekurit (në këtë rast prindërit e të infektuarve) dhe jo si problem i gjithë shoqërisë në përgjithësi. Rast që konsiderohet se preokupon vetëm individët. Ndonëse në vende të ndryshme të Botës ekzistojnë ministri të posaçme apo këshilla të lartë që kujdesen për gjendjen e të rinjve, te ne as që mund të flitet për këtë, me përjashtim të kohës kur afrohen zgjedhjet, ku dalin disa ministra duke bërë disa betime false se do të kontribuojnë në ngritjen dhe avancimin e tyre, mirëpo çfarë ndodhë të nesërmen e gjithë ajo zhurmë e tyre shuhet, sepse ajo që i ka vlerë për të zënë vend dhe pozitë në Parlament apo diku tjetër, tashmë atë e ka realizuar ndërsa betimet false të tyre parazgjedhore janë shuar. 



Cilat janë shkaqet që shtyejn të riun të bëhet përdorues i drogës?



Nuk është e thjeshtë që të diskutohet për këto shkaqe që shtyejn të riun të bëhet përdorues i këtij bari. Sepse që në fillim të këtij nëntitulli duhet të përmend se njëra ndër rrethanat më favorizuese që i “ndihmon” të rinjtë është shkolla, ambient ku rinia shkollohet dhe edukohet. Kjo e fundit do të duhej të mos përmendej në këtë vend, mirëpo, viteve të fundit, në vend që shkolla të ishte institucioni i vetëm ku të rinjtë të edukoheshin dhe arsimoheshin, ndodhë e kundërta e gjitha kjo është bërë një mjet dhe mënyrë më e përafërt e përhapjes së shumë dukurive negative. E themi këtë sepse jemi dëshmitarë te një realiteti të hidhur të cilin jemi duk e kaluar dhe përjetuar çdo ditë. Hapja e shumë lokaleve dhe klubeve të ndryshme pranë shkollës, kjo një rast i mirë që të rinjtë mund të argëtohen dhe pa kurrfarë presioni qoftë prindëror apo të edukatorëve të tyre, të shfrytëzojnë të gjitha mënyrat e argëtimit që konsiderohen nga ata, edhe si trendë të kohës. Alkooli, duhani, droga, muzika dhe shumë skena tjera të paturpësisë që shfaqen në këto lokale janë edhe një mundësi e “mirë” që të rinjtë të kalojnë pushimin e gjatë në shkollë. Por, edhe ata të cilët u infektuan nga kjo dukuri ishin zakonisht ata të cilët kishin depresion të ndryshme, disa e përdorin drogën vetëm për t’i bërë shoqëri shokut apo mikut me të cilin rri, dikush e përdorë këtë për tu larguar nga problemet, apo realiteti duke menduar se nëpërmjet kësaj rruge të mund të largojë dëshpërimin, dikush bëhet përdorues i kësaj në fillim nga kureshtja për të ndier se çfarë shije ka, tjetri llogarit mosmarrëveshjet që ka në familje, ndonjë dashuri e pasuksesshme, suksesi i pamjaftueshëm në shkollë, dhe për t’iu shmangur kësaj dhe në kombinim të mbushjes së kësaj zbrazëtie ata bëhen të m’varur nga një substancë që për momentin mund t’i sjell kënaqësi, mirëpo pasojat e me vonshme janë shumë më të mëdha, se nëse në fillim është bardh çdo gjë për të, (duke llogaritur edhe barin të cilin e përdorë), fundi i saj do t’i sjell të zeza të rënda. Shtresa e cila vazhdon të jetë e prekur nga kjo dukuri janë grupmosha 16-19 vjeç dhe 20-24.

Duke kaluar nëpër këtë gjendje të vështirë me të cilën është duke u përballur shoqëria jonë, duhet përmend këtu edhe faktorin tjetër që do të kishte një rol shumë të rëndësishëm në zhdukjen e kësaj dukurie dhe në ruajtjen e një shoqërie të shëndosh. Pra është familja e zgjeruar ajo e cila konsiderohet se do të kishte suksese në ruajtjen e shoqërisë nga këto sëmundje. Familja e zgjeruar do të siguronte një shoqërizim të mjaftueshëm të fëmijëve, këshilla e nënës apo babait, në një familje të ngushtë apo të vetme, vështirë se do të mund të ndiqej nga një fëmijë kokëfortë, ndërsa ndikimi i kombinuar i anëtarëve të një familje të zgjeruar, është i efektshëm kundër pabindshmërisë apo padëgjueshmëris së fëmijëve. Dhe duke u rritur në një atmosferë shoqërizuese, e cila siguron kontakte të afërta me anëtarët e tjerë të familjes, është shumë më vështirë të vije deri te humbja e kontrollit ndaj fëmijës, sesa në një familje bërthamë, ku në të shumtën e kohës anëtarët e saj janë të huaj dhe mysafir në shtëpi, dhe në një rrethanë të tillë shumë me lehtë humb kontrolli në familje.



Cili do të ishte sukses i garantuar për të parandaluar këtë dukuri?



Shmangja e tërësishme dhe mënyra e vetme për tu larguar nga dukurit e shëmtuara, është mbështetja tek Allahu xh.sh, dhe respektimi i urdhrave dhe obligimeve fetare në veçanti. Këtu duhet përmendur, se masa më efikase në këtë drejtim është pikërisht ë edukata fetare, sepse i riu i cili edukohet në këtë frymë ai assesi nuk do të lejoj të bie në aso grackash të rrezikshme për jetën e tij. Edukata familjare, sidomos familja e zgjeruar do të ndihmonte në ruajtjen e rinis në binar të drejt. Shkolla, një vatër e dijes ku duhet të shfrytëzohen të gjitha mundësit për mbrojtjen e rinisë nga dukurit negative. Pra, të gjithë duhet të jemi kontribuues të ruajtjes së rinisë, pasi ata janë drejtues të së nesërmes. Duke dashur ta përmbyll këtë temë dua të shtojë edhe këtë se atë që mund ta bëjë ligji, rrallë kush se mund ta kontestojë, dhe këtë për një arsye, se me nxjerrjen e një ligji i cili do të sanksiononte përdoruesin me masa të rënda ndëshkimi, atëherë me siguri se përmasat e kësaj dukurie do të vinin në rënie, ose zhdukur në tërësi. Nuk gjendet rrugë më e mirë për t’i shërbyer vullnetit të Allahut dhe tërë njerëzimit. Nuk ka thirrje më të mirë, se oferta për tu shtrirë dorën viktimave të goditura të shoqërisë bashkëkohore.

Jeta do të ishte e bukur...., por vetëm nëse do t’i jepnim kuptim dhe përmbajtje të bukur do të arrinim qëllimin e kësaj të parës.

No comments:

Post a Comment