Jo Droges Blog

Tuesday, April 22, 2014

Dëmet e pakthyeshme të hashashit

Dëmet e pakthyeshme të hashashit


 Studimet e reja që “kryqëzojnë” narkotikun e lehtë, më të përhapurin në botë. Të rinjtë nga mosha 15-19 vjeç, gjithnjë e më shumë kanë provuar kanabis vitet e fundit. Dëmet në tru të atij që e konsumon këtë drogë, shfaqen edhe dhjetë vite më pas.

Tymosja e kanabisit gjatë adoleshencës mund të paracaktojë shqetësimet mendore në një fazë më të vonë të rritjes. Kjo e dhënë del nga studimet më të fundit, që përforcojnë atë çka dihej tashmë mbi pasojat e konsumit të kësaj droge, përtej efekteve të menjëhershme të saj, siç janë përgjumja apo mungesa e përqendrimit, sidomos në timon. Deri pak kohë më parë, mendohej se pasojat e kësaj droge merrnin fund këtu, pasi u konstatua se organizmi i njeriut nuk lodhet aspak për ta eliminuar substancën. Por në fakt kërkimet e fundit të neurobiologjisë treguan se pasi keni përdorur një herë kanabis, truri ruan për vite të tërë gjurmë të drogës.


Hashashi në fakt shkakton një dëmtim të përhershëm, sepse ndikon në zhvillimin e lidhjeve nervore që ndodhin gjatë adoleshencës, duke favorizuar çrregullimet mendore si depresioni dhe skizofrenia, që kompromentojnë direkt inteligjencën.


Zbulimet e reja janë shqetësuese, sepse në të gjithë Evropën, konsumatorët kryesorë janë pikërisht adoleshentët. Të dhënat e raportit të fundit të ESPAD (Monitorimi mbi përdorimin e drogave dhe alkoolit në shkollë) në Itali, flasin qartë se 22 për qind e të rinjve në moshën 15-19 vjeç (pra gati 1 në 4 të rinj), ka provuar të paktën një herë kanabisin vitin e fundit. Vlera më të larta përllogariten në zona si Lombardia, Liguria dhe në rajonet e Qendrës së Italisë, nga kur rezulton se meshkujt e konsumojnë më shumë këtë drogë se femrat. Konsumin e kanabisit e favorizojnë më shumë edhe disa stereotipe të saj, të njohura për aftësitë qetësuese, të lehta, me pak më shumë efekte se alkooli dhe që nuk krijojnë varësi.





Provat


Kurrë si sot, të dhënat mbi rolin e kësaj substance mbi çrregullimet mendore nuk kanë qenë kaq të forta. Studimet po shtohen, sidomos mbi raportin mes drogës dhe skizofrenisë. Kjo psikozë, e karakterizuar nga një çorganizim i mendimit dhe sjelljes, përveç aluçinacioneve është konstatuar në 1.1 për qind të popullsisë. Ashtu si edhe për shumë patologji të tjera psikike, nuk njihet origjina, por konsiderohet se vjen nga një grup faktorësh, pasi shkaktohet si nga ana gjenetike edhe ajo ambientale (histori familjare, raporte sociale).


Në vitet tetëdhjetë, hashashi është etiketuar si shkak i mundshëm për skizofreninë. Por në vitet e mëvonshme, nuk është gjetur asnjë lidhje e sigurt mbi efektet që ajo të mund të shkaktojë apo për lidhje me ndonjë sëmundje të rëndë. Në këto kushte, dy përfundime janë të mundshme: Ose kanabisi favorizon skizofreninë, ose personat që vuajnë nga kjo sëmundje e konsumojnë më shpesh. “Shumë të rinj, mendojnë se e mbajnë ankthin nën kontroll duke përdorur kanabis. Ndërsa për shumë kohë është lakuar shpesh teza se përdorimi i kanabisit ka si pasojë një sëmundje të rëndë”, shpjegon Jean Philippe Gueuen, psikiatër i specializuar për adoleshentët dhe të rinjtë. Megjithatë, sot nga shumë hetime e studime epidemiologjike mbi të rinj është parë se ata nuk kanë psikoza skizofrenie para se të nisin të përdorin kanabis. Risku për të pasur psikoza të tilla, është rritur me përdorimin e kësaj droge.





Shpejt dhe keq


Nga ana tjetër, një studim i vitit 2011 i realizuar nga Universiteti i Maastricht (Vendet e Ulëta), nxjerr në pah një risk të dyfishtë për sëmundjet mendore tek të rinjtë që kishin pirë kanabis të paktën pesë herë në vitet e fundit. I njëjti hetim ka konfirmuar gjithashtu një faktor thelbësor: Sa më shumë konsumoni kanabis, aq më shumë rritet risku për skizofreni. Në vitin 2008, Instituti i Higjienës Mendore në Hollandë ka shtuar se në rast të shkëputjes nga droga në moshë të rritur, risku për sëmundjet mendore mbetet i njëjtë. Megjithatë, bazuar në literaturën shkencore të publikuar nga disa kërkues në Universitetet e Bristolit dhe Cambridge-it, kanë përllogaritur një rritje prej 40% të rrezikut të sëmundjeve mendore tek adoleshentët që konsumojnë kanabis në mënyrë të rregullt. Përqindja është akoma më e lartë tek ato persona që kanë edhe një lidhje gjenetike me këtë sëmundje.


Skizofrenia nuk është i vetmi rrezik. Shqetësuese është edhe sëmundja e depresionit. Të paktën kështu rezulton nga kërkimet dhe studimet e bëra së fundmi për pasojat e drogës së kanabisit tek përdoruesit. Kjo sëmundje prek 3% të popullsisë botërore. Në vitin 2012, për shembull, një studim i Universitetit të Michiganit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka evidentuar një rritje të rrezikut për të pasur depresion nga 60 në 90 për qind për konsumatorët e kanabisit. Ndërsa një hetim në Karolinska Institut të Stokholmit, (Suedi), ka nxjerrë se nuk ka asnjë rritje të riskut për depresion tek konsumatorët e kanabisit.


Si shpjegohen këto rezultate të ndryshme?


Sipas Tiziana Rubinos, e specializuar në fushën e kërkimit në Universitetin e Insubria, këto mospërputhje në rezultatet e studimeve, vijnë nga fakti se studimet nuk bazohen në të njëjtat tipologji të atyre personave që përdorin kanabis. “Do të duhej që të përqendroheshim tek ata konsumatorë që përdorin më shumë se një herë në ditë kanabis. Mes tyre risku është më real. Por duhen bërë edhe krahasime mes konsumatorëve, pasi dy konsumatorë të njëjtë mund të kenë pasoja jo domosdoshmërisht të ngjashme. Për shembull, duket se femrat janë më të ndjeshme ndaj efekteve të kanabisit tek depresioni. Ndërsa burrat kanë më shumë rrezik tek psikozat, skizofrenia.





Inteligjenca bëhet tym


Ekziston në fakt, edhe një e keqe më e madhe që duket se konsumon pak nga pak trurin e atyre që përdorin kanabis. Efekti është i avashtë por ndikon në inteligjencë. Po bëhen gati 10 vite që analizat tregojnë pasojat që përdorimi i hashashit lë tek konsumatorët në aftësitë e tyre për të logjikuar, mbajtur mend etj., edhe pse janë testuar ditë më vonë pas konsumit të drogës. Një kontribut i rëndësishëm në kërkimet mbi efektet e vonshme që vijnë nga përdorimi i kanabisit, erdhi në vitin 2012, kur një grup kërkuesish të Universitetit Duke në SHBA publikoi një studim për këtë çështje. Pasi ndoqën rreth 1000 raste, në moshën nga 1-38 vjeç, rezultatet treguan se mes adoleshencës dhe moshës së rritur, personat që konsumojnë kanabis, pësojnë një ulje të inteligjencës në nivelin 8 për qind. Ndërkohë që ata që nuk konsumojnë, pësojnë një rritje të lehtë. I njëjti rezultat shihet edhe tek personat që kanë hequr dorë prej më shumë se një viti nga konsumi i drogës, por sërish niveli i tyre i inteligjencës ulet. Shifrat rriten për atë kategori personash që kanë nisur të konsumojnë kanabis para moshës 18 vjeç.





Kurthi i THC-së


Pra, përdorimi i kanabisit mund të sjellë skizofreni, depresion, ulje e nivelit të inteligjencës. Si shpjegohen këto efekte që shfaqen tek personat edhe kur kanë vite që kanë hequr dorë nga droga kanabis? Përgjigjja përfundimtare është ende larg sepse mekanizmat celebralë që ndodhen në qendër të këtyre sëmundjeve kanë ende shumë anë të errëta, të pazbuluara. Megjithatë, një shpjegim disi është dhënë. “Kanabisi pengon zhvillimin normal të lidhjeve nervore që marrin hov gjatë adoleshencës”, thotë Daniela Parolaro, specialiste farmakologe në Universitetin e Insubrias.


Fenomeni, i cili është thelbësor në zhvillimin e trurit në adoleshencë, përfshin një tip të veçantë lidhësish nervorë, endokanabinoidët. Nga zbulimet e vitit 1990, rezulton se këto molekula, rregullojnë impulset nervore që vijnë nga neuronet. Molekula aktive e kanabisit, THC (delta 9 tetrahidrokanabidol), ngjan shumë me molekulat që rregullojnë impulset nervore. Kjo i lejon asaj që të lidhet me to duke penguar kështu veprimet natyrore që duhet të ndodhin në tru nga përçuesit nervorë. Në këtë mënyrë, kanabis stimulon lëshimin e dopaminës, molekulës cerebrale të lidhur me ndjenjën e qejfit dhe të lumturisë.





Çekuilibrim trunor


Studime të tjera flasin për ndryshimet strukturore në trurin e konsumatorëve të kanabis dhe atyre që nuk e konsumojnë këtë drogë. Në një publikim të bërë në vitin 2005 të ekipit të Karen Bolla të John Hopkins University në SHBA, janë vënë re disa ndryshime të densitetit të lëndës së bardhë (ajo pjesë e trurit që përmban më shumë lidhje nervore) dhe pjesës gri.


Eksperimente të tjera të bëra tek kafshët, kanë nxjerrë në dritë anomali të shumta në tru, gjatë përdorimit të kanabisit. Në veçanti, shpjegon Tiziana Rubino “vihet re një çekuilibrim i ngjashëm me personat që kanë skizofreni”. Megjithatë, ajo shprehet optimiste. “Këto efekte zgjasin në kohë, por nuk besoj se janë të pakthyeshëm. Kur ndalohet përdorimi i kanabisit dhe ndiqet një regjim i mirë rikuperimi, truri ka aftësi të riparojë dëmet e shkaktuara”, shprehet Rubino. Po kështu, edhe neurosociologu Raymond Niesink, shprehet se disa pjesë të trurit arrijnë të kompensojnë pjesën e dëmtuar. Në këto kushte, duhet të presim vitet që vijnë për të pasur ndonjë zhvillim, studim apo kërkim të ri për sëmundjet e skizofrenisë apo depresionit tek të rinjtë që konsumojnë kanabis. Ndërkohë, numri i të prekurve nuk duket se rritet në krahasim me numrin e të rinjve që përdorin këtë drogë. Por në çdo rast, rrethi shtrëngohet e në pritje të përgjigjeve përfundimtare, momentalisht janë miliona adoleshentë në botë që e ekspozojnë trurin ndaj dëmeve të shumta që shkakton kanabis.

No comments:

Post a Comment