Jo Droges Blog

Tuesday, April 29, 2014

Kanabisi: këtë duhet ta dini

Kanabisi: këtë duhet ta dini


Sa shpesh thithin kanabis të rinjtë?
Në kantonin e Cyrihut kanabisin e kanë provuar një herë në jetën e tyre 30% e djemve dhe vajzave 14-deri 15-vjeçarë/-e (HBSC, 2007). Pak më shumë se 9% e 15- deri 24-vjeçarëve të Zvicrës më 2007 kanë thithur rregullisht, dmth. Çdo ditë, duke dëshmuar kështu një konsum problematik (ESPAD, 2007).
Ç’ është kanabisi?
Me hashashin nënkuptohet rrëshira nga lulet e kërpit. Si marihuanë përcaktohen majat e petaleve dhe gjethet e po kësaj bime. Marihuana ndryshe quhet edhe “bar”. Kanabisi më së shpeshti përzihet me duhanin dhe thithet në formë xhoint-i (Joint). Më të rrallë ai përgatitet në biskota ose çaj.
Si ndikon kanabisi?
Ndikimi varet nga sasia, nga cilësia, nga konstitucioni individual dhe nga gjendja momentale fizike dhe psikike. Kanabisi përforcon ose topit disponimin ose ndjenjat e pranishme. Pos kësaj, ai ndryshon ose cenon perceptimin, aftësinë për t’u përqendruar ose për të reaguar si dhe vëmendjen e memorien afatshkurtër. Kanabisi nuk është i parrezikshëm, mirëpo kur konsumohet me masë, nuk është më i dëmshëm se alkooli. Fizikisht nuk të bën të varur, mirëpo mund të shpjerë në varësi psikike. Kanabisi nuk përfaqëson drogën hyrëse për në botën e drogave “të forta”.
Përse konsumojnë kanabis të rinjtë?
Të rinjtë konsumojnë kanabis shpesh bashkë me shokët dhe shoqet dhe përjetojnë kështu ndjenjën e përkatësisë së përbashkët grupore. Në epiqendër gjendet kureshtja dhe kërkimi për kënaqësi dhe relaksim.
A është konsumi i kanabisit problematik?
Konsumi i kanabisit tek të rinjtë (nën 15 vjeç) është përgjithësisht problematik dhe për edukatorët përgjegjës do të duhej të ishte një shenjë e qartë alarmuese. Për organet e frymëmarrjes dhe për sistemin kardiovaskular (zemër&qarkullim i gjakut), kanabisi shpesh është akoma më i dëmshëm se duhani, sepse tymi i tij thithet veçanërisht thellë. Dozimet e larta mund të shkaktojnë sulme paniku ose gjendje ankthi. Përmes thithjes së kanabisit cenohet shkalla e memories dhe e kohës për reaksion. Për këtë shkak është i rrezikshëm drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive nën ndikimin e kanabisit. Në rast përdorimi të rregullt të kanabisit, do të bjerë kapaciteti përqendrues, vëmendja dhe aftësia për të mësuar, ndërsa konsumi intensiv dhe afatgjatë i kanabisit mund të shpjerë në varësi psikike. Tek njerëzit me probleme psikike ose neurologjike, konsumi i kanabisit mund të shkaktojë ose përforcojë depresionet ose sëmundjet tjera të rënda psikike.
Si duket konsumi problematik?
Shenja të një konsumi problematik mund të jenë:
  • Rënia e papritur e efikasitetit dhe mungesat e shpeshta në shkollë ose në vendin e punës.
  • Tërheqja (izolimi) dhe mbyllja në vetvete, ndërrimi i papritur i shoqërisë.
  • Pakënaqësia e apatia dhe/ose luhatjet emocionale
  • “Thithja” bëhet çështja kryesore në jetë: pa kanabis bëhen të pamundur relaksimi, zënia e gjumit ose aktivitetet profesionale.
Përcaktimet ligjore
Kanabisi është një lëndë narkotike ilegale. Janë të ndaluara kultivimi, tregtimi, zotërimi dhe konsumi i tij. Në komunikacionin rrugor vlen toleranca zero: ai që thith kanabis dhe njëkohësisht drejton automjetin, dhe zihet, do ta dorëzojë menjëherë për kohë të pacaktuar patentën e tij të shoferit.
Ç’duhet bërë?
Në rast se si prindër supozoni ose e dini me siguri se djali ose vajza juaj konsumon kanabis:
  • I flisni fëmijës suaj lidhur me të.
  • Në rast hamendësimi ose konstatimi të konsumit të drogës, gjatë bisedës me djalin ose vajzën tuaj mos reagoni me panik dhe mos e mbuloni atë me akuza.
  • Tërhiqni vërejtjen mbi rreziqet nga konsumi i kanabisit.
  • Bëjeni të qartë pikëpamjen tuaj dhe bini në ujdi me djalin ose vajzën për vendosjen e rregullave.
Kërkoni përkrahje në ndonjë këshillimore, në rast se vëreni se situata është përkeqësuar. I kujtoni djalit ose vajzës ofertat ekzistuese nga këshillimoret.
Informacione të hollësishme gjeni në broshurën „Konsumimi i duhanit, alkoolit dhe kanabisit nga të rinjtë“:

No comments:

Post a Comment