Jo Droges Blog

Tuesday, October 16, 2012

Dyfishohet brenda tre viteve numri i të droguarve në Tiranë dhe rrethe!


                                           


Në Shqipëri numërohen rreth 50.000 përdorues droge dhe Tirana rezulton me numrin më të lartë të të prekurve nga ky fenomen. Sipas drejtorit të Aksion Plus, në Qendrën Komunitare të Shëndetit Mendor, Genci Muçollari, grup moshat më të prekura janë nga 25 deri në 33 vjeç dhe barnat si metadoni që përdoret për terapi ditore, janë të kufizuara. Në një intervistë për 77 News, zoti Muçollari i bën apel instancave qeveritare, por edhe shoqërisë civile që të rrisin ndërgjegjësimin ndaj këtij fenomeni që sipas tij, është në rritje në vendin tonë.

Z. Muçollari, sa është numri i përdoruesve të drogës në Tiranë dhe rrethe?
Në Shqipëri ka rreth 50,000 përdorues, nga këta 7000 janë përdorues problematike që janë të varur nga droga. Tirana ka numrin më të madh të përdoruesve, por të dhëna të sakta nuk ka.
Sa prej tyre vijnë në qendrën tuaj?
Rreth 500 klientë trajtohen në ditë, në Tiranë dhe rrethe më terapi me metadon dhe këshillim.
Cili është raporti krahasuar me vitet e kaluara?
Shifrat janë gjithmonë në rritje, sepse para tre vitesh kemi patur rreth 100 klientë, ndërsa tani trajtojmë rreth 200 persona vetëm në Tiranë.
Cila është grup mosha më e prekur?
25-33 vjeç, është mosha që rezulton me përdorimin më të shpeshtë të drogave.
Çfarë drogash përdorin më shumë?
Këtu në vendin tonë përdoren më shumë kanabis dhe heroina.
A e përballoni fluskin me barnat, si prsh metadoni? Keni vështirësi për ta siguruar atë?
Duhet shtuar më shumë sasia apo doza ditore për klientët tanë, në mënyrë që të mos përdorin heroinë.
Çfarë ofron tjetër qendra juaj për mbrojtjen dhe asistencën e tyre?
Ofrojmë terapi grupi, këshillim individual dhe familjar, psiko-dramë, referime në shërbime të tjera më të specializuara, mbrojmë të drejtat e përdoruesve dhe ofrojmë shërbime kur ata ndodhen në burg, komisariate apo dhe në shërbim provë. Gjithashtu jemi aktivë në përmirësimin e politikave për drogat, duke mbështetur kështu shërbimet që japim. Qendra fuqizon klientët përdorues të kenë një vetë-vlerësim dhe të kërkojnë të drejtat e tyre kur ato shkelen.

Cili është apeli juaj për instancat qeveritare dhe shoqërinë civile?
Duhet më shumë mbështetje për qendra të tilla nga pushteti lokal dhe qendror, duke patur parasysh që nga fenomeni i drogës janë prekur shumë nga zonat urbane, por dhe ato rurale. Bashkitë lokale, minibashkitë, bizneset, individët, të gjithë ndikohen nga përdorimi i substancave. Ndërhyrje të tilla si e A+ janë kosto-efektive; për çdo lek të investuar, fitohen 15-20 lekë, e përkthyer kjo në kosto financiare, shëndetësore, kosto qëndrimi në burgje, humbje të ditëve produktive të punës, infektimi dhe trajtimi në rastet kur përdoruesit preken nga HIV apo hepatiti, impakti nga kriminaliteti etj.

JO drogës! JETO shëndetshëm! – Informacion për Drogat






Që prej 7 Dhjetorit 1987, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e vendosi 26 Qershorin si Ditën Ndërkombëtare Kundër Abuzimit dhe Trafikimit të Drogave si shprehje e angazhimit për të forcuar veprimin dhe bashkëpunimin me qëllimin për të shkuar drejt një shoqërie pa drogë.
Droga, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme nga bashkësia ndërkombëtare vazhdon të jetë një problem i madh për shëndetin publik, sigurinë dhe mirëqenien e njerëzimit.
Ashtu si në të gjithë botën, dhe në Shqiperi përdorimi i substancave abuzive, përfshirë ato legale dhe jo legale është në rritje vitet e fundit, kjo për shumë arsye. Ndër grupet më të prekura janë adoleshentët dhe të rinjtë. Vitet e fundit ka një rritje të përdorimit të këtyre substancave nga femrat, sidomos përdorimi i marijuanes. Ndërsa për drogat e tjera më të forta, si heroinë, kokainë, ekstazia , etj, predominon ndjeshëm numri i meshkujve.
Referuar të dhënave të fundit të raportit te EMCDA për vitin 2010, numri i personave që janë apo kanë përdorur substanca ilegale, varion nga 40.000 – 60.000 persona, nga ku mendohet se rreth 10-15% e tyre janë përdorues të drogave intravenoze, kryesisht heroinë dhe kokainë. Shihet se ka një rritje të ndjeshme të tyre këto vitet e fundit.
Numri i përgjithshëm i të rriturve (15-64 vjeç) të cilët kanë provuar lloje të drogave të paligjshme është vlerësuar të jetë rreth 5 000 në 1995 dhe 20 000 më 1998. Shihet një rritje të konsiderueshme që prej 1995.
Në një studim realizuar nga Instituti i Shëndetit Publik më 2009, fokusohet në popullatën e shkollave të mesme dhe ka një masë kampioni rreth 3 878 pjesëmarrës. Variabli i SSRrR mbi prevalencën jetësore të përdorimit të drogës përputhet me përkufizimin e rastit sipas EMCDDA. Studimi tregoi se 7,4 % e personave të moshës 15-18 vjeç kanë eksperimentuar kanabis, 4,2 % me ekstazi, 1,2 % me heroinë, dhe 3,2 % kishin përdorur kokainë.
Fenomeni i abuzimit me drogat në Shqipëri është më shumë një problem urban se sa rural ku numrin më të madh të personave të prekur nga përdorimi e kanë qytetet e mëdha. Nga drogat e përdorura prevelancën më të madhe e ka kanabisi me derivatet e tij (marijuana dhe hashish), në vend të dytë vjen përdorimi i heroinës dhe në vend të tretë kokaina. Shifrat lidhur me numrin e përdoruesve në Shqipëri janë kontradiktore.
Strategjia Kombëtare kundër Drogës 2012–2016
Strategjia është gjithëpërfshirëse dhe mbulon njëkohësisht reduktimin e kërkesës për drogë dhe reduktimin e furnizimit me drogë. Kjo ishte produkt i pjesëmarrjes së të gjithë institucioneve qeveritare të përfshira në luftën kundër drogës, si dhe organizatave jo-qeveritare, dhe me një mbështetje të madhe nga ekspertët e organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri.
Strategjia njeh natyrën serioze të problemit të drogës në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar dhe pranon se suksesi mund të arrihet vetëm me bashkëpunimin dhe bashkërendimin e përpjekjeve të të gjitha palëve vepruese, konkretisht të qeverisë, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Parandalimi
Rëndësia e parandalimit të drogës në Shqipëri është pasqyruar në miratimin e Strategjisë Kombëtare kundër Drogave. Në aktivitetet parandaluese janë përfshirë nxënës, studentë, mësues, staf mjekësor,etj.
Trajtimi
Strategjia përfshin objektiva dhe masa të orientuara drejt reduktimit të kërkesës për drogë dhe kontrollit të ofertës njëkohësisht.
Sipas Strategjisë Kombëtare Kundër Drogës 2012–2016 (konkretisht komponenti i saj për reduktimin e kërkesës për drogë në shkallë vendi): (a) programet e trajtimit me metadon (zëvendësimi afat-gjatë) duhet të mbulohen nga qendra të specializuara; (b) lëshimi i recetave mjekësore në periudhën e parë nuk duhet të shtrihet deri tek mjekët e familjes; (c) duhet të zbatohet një kërkesë rigoroze për trajnim të specializuar për mjekët që lëshojnë recetën; dhe (d) trajtimi me metadon ka nevojë për një metodologji të veçantë dhe jo legjislacion të veçantë. Rrjedhimisht, politika aktuale e trajtimit me metadon në Shqipëri duhet të përpiqet të ndjekë këto udhëzime.
Ekziston vetëm një qendër publike e specializuar në trajtimin e drogës në Shqipëri, Shërbimi i Toksikologjisë Klinike në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ në Tiranë (QSUT). Kjo është një qendër publike, përgjegjëse për të gjithë vendin, dhe merret kryesisht me trajtimin e detoksifikimit dhe të mbidozës. Ajo shërben njëkohësisht si njësi spitalore për shtrimin e pacientëve dhe si njësi shërbimi për pacientët ditorë, dhe është burimi kryesor i të dhënave për kërkesat për trajtim.
Përgjigjet ndaj reduktimit të dëmit janë të fokusuara në shkëmbimin e ageve/shiringave, edukimin e bashkë-moshatarëve, informim dhe këshillim, mbështetje mjekësore bazë dhe mbështetje psikosociale.
Në Shqipëri nuk ka të dhëna të besueshme mbi numrin e vdekjeve nga droga (drug-related deaths – DRDs). Informacioni zyrtar për vdekjet nga droga është i dobët, madje virtualisht jo-ekzistues për disa arsye: (a) legjislacioni dhe çështjet rregullatore nuk pasqyrojnë situatën aktuale në vend, dhe kërkesat nuk janë të rrepta; (b) ka ende mungesë të vetëdijes (ndërgjegjësimit) ndërmjet stafit mjekësor për vdekjet e lidhura me drogën, dhe, si pasojë, një vdekje e shkaktuar nga mbidoza e drogës diagnostikohet në rutinë si atak/pushim zemre; (c) ka ende mungesë bashkëpunimi dhe bashkërendimi ndërmjet agjencive përkatëse dhe ndër-shkëmbimi i të dhënave është i pakët; (d) megjithëse Laboratori Toksikologjik i Institutit të Mjekësisë Ligjore është plotësisht i aftë të kryejë konfirmimin e vdekjeve që kanë lidhje me drogën, ka mungesë informacioni për ekzistencën e një agjencie të tillë të kualifikuar; (e) për më tepër, analizat lëngjeve të trupave nga vdekjet toksikologjike jane shumë të rralla, për arsye ende të theksuar të stigmës lidhur me dukurinë (fenomenin) e drogës, për çka, Instituti i Mjekësisë Ligjore nuk është i autorizuar të kryejë autopsinë nëse nuk i kërkohet (nga familjarët e viktimës).

Sunday, May 6, 2012

Kokaina: Çfarë është? Si merret? Çfarë ndikimi ka te përdoruesi?

Kokaina: Çfarë është? Si merret? Çfarë ndikimi ka te përdoruesi? Cilat janë rreziqet që lidhen me përdorimin e kokainës?


Çfarë është?
Kokaina është një pluhur i bardhë ose ngjyrë
qumështi, i cili vepron si stimulues i fuqishëm.
Kokaina nxirret nga gjethet e bimës së kokës.
Gjatë rrugës, mund të tretet ose të “pritet”
me lëndë të tjera me qëllim që të rritet sasia.
Droga “crack” është një kokainë e cila është
përpunuar më tej me amoniak ose bikarbonat
natriumi (sodë buke) dhe ngjan si flokëza ose
kokrriza të vogla.

Si merret?
Zakonisht, kokaina thithet me hundë ose
injektohet, ndërsa droga “crack” tymoset si
duhani.

Çfarë ndikimi ka te përdoruesi?
Kokaina i jep përdoruesit një ndjesi gjallërie
shpirtërore dhe e vendos në një gjendje
euforie. Gjithashtu, shpesh përdoruesi
provon një rritje të përkohshme të niveleve
të gatishmërisë nervore dhe të energjisë dhe
një shtyrje në kohë të urisë dhe të lodhjes.

Cilat janë rreziqet që lidhen me
përdorimin e kokainës?
Efektet afatshkurtra përfshijnë humbjen e
oreksit, shpejtimin e frymëmarrjes dhe rritjen
e temperaturës së trupit dhe të rrahjeve të
zemrës. Përdoruesit mund të sillen në mënyrë
shumë të çuditshme dhe të parregullt dhe,
ndonjëherë edhe në mënyrë të dhunshme.
Doza të tepërta të kokainës mund të
shkaktojnë edhe konvulsione, krizë epilepsie,
hemorragji cerebrale ose mosfunksionim të zemrës.
Përdoruesit afatgjatë të kokainës
rrezikojnë të kenë një mori problemesh
shëndetësore, disa prej të cilëve varen nga
mënyra se si e marrin këtë drogë. Thithja
me hundë e kokainës dëmton shumë rëndë
indet e hundës; tymosja mund të shkaktojë
probleme të aparatit të frymëmarrjes;
ndërsa injeksioni mund të shkaktojë abscese
ose sëmundje infektive. Rreziqe të tjera,
pavarësisht mënyrës si merret droga,
përfshijnë varësinë e fuqishme psikologjike,
kequshqyerjen, rënien në peshë, humbjen e
orientimit, apatinë dhe një gjendje që ngjan
me psikozën pananojake.

Rreziqe të tjera
Përzierja e kokainës me alkoolin është një
kokteijl i rrezikshëm dhe mund të rrisë
ndjeshëm mundësinë e vdekjes së papritur.

Thursday, May 3, 2012

Heroina: Çfarë është? Si merret? Çfarë ndikimi ka te përdoruesi? Cilat janë rreziqet që lidhen me përdorimin e heroinës?


Heroina: Çfarë është? Si merret? Çfarë ndikimi ka te përdoruesi? Cilat janë rreziqet që lidhen me përdorimin e heroinës?


 Çfarë është?
Heroina është një drogë që shkakton varësi
dhe që ka veti kundra dhimbjes dhe e cila
prodhohet përmes përpunimit të morfinës,
një lëndë natyrore e cila nxirret nga bima e
opiumit. Heroina e pastër është një pluhur
i bardhë. Heroina e rrugës është zakonisht
e bardhë në ngjyrë kafe sepse përzihet me
lëndë të papastra, çka do të thotë që çdo
dozë ndryshon nga tjetra.

Si merret?
Zakonisht injektohet por mund edhe të
thithet me hundë ose të tymoset.
Çfarë ndikimi ka te përdoruesi?
Heroina mund t’u heqë përdoruesve
tensionin, ankthin dhe depresionin.
Përdoruesi ndjehet i shkëputur nga lodhja
ose dhimbja emocionale ose fizike. Në
doza të mëdha, përdoruesi mund të provojë
gjendje euforie.

Cilat janë rreziqet që lidhen me
përdorimin e heroinës?
Pasojat afatshkurtra përfshijnë zvogëlimin
e bebes së syrit, të përzier, të vjella,
përgjumje, paaftësi për t’u përqendruar
dhe apati.
Heroina shkakton varësi të madhe fizike
dhe psikologjike te përdoruesi. Përdoruesit
rrezikojnë të zhvillojnë edhe një shkallë
tolerance ndaj kësaj droge, çka do të thotë
se me kalimin e kohës u duhet të marrin
doza gjithnjë e më të mëdha për të provuar
efektin që dëshirojnë.
Përdorimi afatgjatë i heroinës ka një
shumëllojshmëri pasojash të rënda për
shëndetin. Mes të tjerash, mund të shkaktojë
rënie të shpejtë në peshë, kequshqyerje
dhe kapsllëk. Heroina mund të shkaktojë
edhe çrregullim të ciklit mujor te femrat,
përgjumje dhe apati kronike.
Lënia e menjëhershme e heroinës shkakton
simptomat e tërheqjes nga ky ves, të cilat
mund të jenë të rënda dhe përfshijnë ngërç,
diarre, dridhje, panik, sekrecione të hundës,
të ngjethura dhe djersitje.

Rreziqe të tjera
Përdoruesit rrezikojnë të marrin mbidozë të
heroinës e cila mund të shkaktojë gjendje
kome dhe vdekje për shkak të bllokimit të
aparatit të frymëmarrjes.

Wednesday, May 2, 2012

Ekstaza:(Ekstazi) Çfarë është? Cilat janë rreziqet ? Si merret? Çfarë ndikimi ka?



Ekstaza:(Ekstazi) Çfarë është? Cilat janë rreziqet ? Si merret? Çfarë ndikimi ka te përdoruesit?Rreziqe të tjera?
Çfarë është?

Ekstaza është një stimulues psikoaktiv, i
cili zakonisht prodhohet në laboratorë të
paligjshëm. Në të vërtetë, termi “ekstazë”


ka evoluar dhe nuk përdoret për të quajtur
vetëm një lëndë kimike por në të vërtetë një
gamë lëndësh të tilla të cilat kanë një efekt
të ngjashëm te përdoruesi. Shpesh, çfarëdo
tablete me stemë tani quhet “ekstazë”
pavarësisht përbërjes ës vet kimike.
Edhe pse kjo drogë zakonisht shpërndahet në
formën e një tablete, ajo mund të jetë edhe
në formë pluhuri ose kapsule. Tabletat mund
të kenë forma dhe madhësi të ndryshme.

Si merret?
Zakonisht gëlltitet por mund edhe të thithet
me hundë ose të injektohet.

Çfarë ndikimi ka te përdoruesi?
Ekstaza mund të rrisë nivelet e ndjeshmërisë
të përdoruesve dhe të shkaktojë një ndjesi
afërsie me njerëzit që i rrethojnë. Kjo drogë
mund ta bëjë përdoruesin më shoqërues
dhe energjik.

Cilat janë rreziqet që lidhen me
përdorimin e ekstazës?

Në periudhën afatshkurtër, ekstaza mund
të bëjë që trupi të mos i përfillë sinjalet e
problemeve siç janë dehidratimi, vilania dhe
rraskapitja dhe mund të pengojë aftësinë e
trupit për të rregulluar temperaturën. Për
më tepër, ekstaza mund të dëmtojë rëndë
organe të tilla si mëlçia dhe veshkat.
Ndonjëherë, mund të shkaktojë edhe
konvulsione dhe pushim të zemrës.
Doza të mëdha të ekstazës shkaktojnë një
gjendje acarimi, ankthi dhe halucinacionesh
të rënda.
Përdorimi afatgjatë i ekstazës mund të
dëmtojë disa pjesë të caktuara të trurit,
duke shkaktuar kështu depresion dhe
humbje të kujtesës.

Rreziqe të tjera
Tabletat ose pilulat që shiten për ekstazë
mund të përmbajnë edhe lëndë të tjera që
mund të jenë të rrezikshme dhe që mund të
jenë të ndryshme për sa i takon fuqisë dhe
pasojave të tyre.
Jo Droges Facebook:===>>>>https://www.facebook.com/JoDroges
Jo Droges Twitter: ====>>>>https://twitter.com/#!/JoDroges


Tuesday, May 1, 2012

Kanabis: Cfare Eshte? Cilat janë rreziqet ?


Kanabis: Cfare Eshte? Cilat janë rreziqet që lidhen me
përdorimin e kanabisit? Si merret? Çfarë ndikimi ka te përdoruesi? Rreziqe të tjera?
Çfarë është?
Kanabisi është një lëndë si duhani, me
ngjyrë mes të gjelbrës dhe kafesë, e cila
përbëhet nga lulet dhe gjethet e sipërme
të thara të bimës së kërpit. Rrëshira e
kanabisit apo, siç quhet ndryshe, hashashi,
është mbetja e tharë e një lënde që nxirret
nga pjesa e sipërme e lulëzuar e bimës
së kërpit, e cila kthehet në pluhur ose
presohet në forma. Vaji i kanabisit ose, siç
quhet ndryshe, vaji i hashashit, është një
lëng i cili nxirret ose nga bima e tharë ose
nga rrëshira.

Si merret?
Zakonisht, të gjitha format e kanabisit merren
përmes tymosjes, si duhani. Rrëshira dhe vaji i
kanabisit mund edhe të hahen ose të pihen në
formën e çajit.

Cilat janë rreziqet që lidhen me
përdorimin e kanabisit?

Në periudhën afatshkurtër, përdoruesit i rritet
oreksi dhe pulsi. Përdoruesi ka probleme edhe
me kryerjen e akteve fizike dhe intelektuale, si
për shembull e ka të vështirë të ngasë makinën
apo të mendojë në mënyrë logjike. Nëse merret
në doza të mëdha, kanabisi mund të mprehë
perceptimin e tingujve dhe të ngjyrave nga ana
e përdoruesit, ndërkohë që ia bën të ngadaltë
dhe të paqartë të menduarit. Nëse doza është
shumë e madhe, efekti i kanabisit është i
ngjashëm me efektin e drogave haluçinogjene
dhe mund të shkaktojë ankth, panik dhe, madje,
episode psikopatike. Përdoruesit e rregullt të
kanabisit përballen me rrezikun e zhvillimit të
një varësie psikologjike deri në atë masë sa të
humbasin interes në të gjitha aktivitetet e tjera
si puna apo marrëdhëniet me njerëzit. Studimet
e fundit në Mbretërinë e Bashkuar kanë treguar
se ekziston një lidhje midis përdorimit të
kanabisit dhe rritjes së skizofrenisë.

Çfarë ndikimi ka te përdoruesi?

Kanabisi i jep përdoruesit një ndjesi
relaksimi dhe kënaqësie dhe ndonjëherë i
vendos në një gjendje euforie. Përdoruesi
mund të provojë edhe një ndjesi më të fortë
të shqisave të shikimit, nuhatjes, shijes dhe
dëgjimit.

Rreziqe të tjera?

Tymi i kanabisit përmban 50 për qind shumë
katran se cigaret me përmbajtjen më të lartë të
katrani, gjë që i vendos përdoruesit në një rrezik
më të madh të kancerit të mushkërive dhe të
sëmundjeve të tjera të sistemit të frymëmarrjes.

Friday, April 27, 2012

Droga dhe parandalimi i saj

Është një rrjet aq mirë i organizuar i prodhimit, përpunimit, distribuimit dhe përdorimit të drogës, saqë edhe masat më të rrepta legale nuk kanë gjasa për një kohë të gjatë ta zhdukin. Mbetet që të kufizohen këto kanale të thella, që të ndërgjegjësohet rinia jonë dhe së paku deklarativisht të potencohen rrethanat parandaluese dhe favorizuese që çojnë në një ekspansion masovik të kësaj shprehie ogurzezë. Kjo për vetë faktin se deri më sot nuk kemi një program nacional kundër narkomanisë, në të cilin rolin e vet të pazëvendësueshëm do ta jepnin të gjitha strukturat dhe institucionet shoqërore e shtetërore, siç janë shërbimi shëndetësor, organet e rendit e të përndjekjes, mediumet, sistemi i përgjithshëm arsimor, feja e të ngjashme. Sugjerimet e mësipërme nuk janë ndonjë parafrazim megaloman, por një përvojë mjaft dobiprurëse që vite me radhë po zbatohet në vendet e zhvilluara perëndimore dhe SHBA.



Në kuptimin gjithpërfshirës droga paraqet një varg materiesh psiko-aktive, të cilat po qe se konsumohen nga ana e njeriut kanë aftësi që të ndryshojnë dhe dëmtojnë seriozisht integritetin psiko-fizik të subjektit i cili i përdorë, gjegjësisht i keqpërdorë ato. Thuhet me të drejtë se abuzimi me këto substanca psikotrope është një problem i madh shoqëror dhe shëndetësor mbarëbotëror, ngase pasojat që dalin nga efektet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta nga kjo shprehi e kobshme morbogjene janë shumëfish të dëmshme për vetë individin që është bërë rob i marrjes pa masë i materieve dehëse, si dhe për rrethin më të gjerë social ku jeton dhe vepron ky ose një grup më i madh abuzuesish të drogave.

Që të kemi një ide më të qartë mbi këtë fenomen të rrezikshëm mediko-social, dhe jo vetëm kaq, fillimisht do t’i referohemi definicionit mbi varshmërinë nga droga që kohëve të fundit e ka dhënë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), në të cilin tekstualisht thuhet: Vartësia nga droga paraqet një gjendje të intoksikimit (helmimit) periodik ose kronik me droga natyrale, gjysmësintetike, dhe e cila karakterizohet me një dëshirë dhe apasion të prafrenueshëm që të merret me çdo kusht, prirje për të rritur dozën (toleranca), varshmëri fizike dhe psikike dhe veprimit destruktiv mbi personalitetin e narkomanit. Problemi del se është edhe më i mprehtë kur kihet parasysh fakti se kjo epidemi moderne më së shumti prek rininë, ardhmërinë e çdo komuniteti, në tërë globin, duke mos kursyer asnjë shtreë sociale dhe përkatësi nacionale dhe konfesionale. Dukuri pothuajse e pashmangshme që shoqëron çdo abuzim me këto lëndë shkundulitëse është shfaqja e sindromit abstinencial fill pas ndërprerjes së konsumimit të drogës, shpeshherë edhe me simptome dhe komplikime më të rënda se substanca që ka shkaktuar këtë varshmëri këmbëngulëse.

Në këtë grup materiesh nootropike, para së gjithash, sipas klasifikimit më të ri të çrregulliomeve mentale, që vijnë si rezultat i përdorimit kompulsiv, bëjnë pjesë këto nëngrupe substancash distimike:

  • alkooli
  • opiatet
  • kanabinoidet
  • sedativet dhe hipnotikë
  • kokaina
  • kofeina dhe stimulues të tjerë të sistemit qendror nervor
  • halucinogjenët
  • duhani
  • tretësit që avullohen
  • adikcioni me më shumë lloje drogash njëkohësisht.

Duke patur parasysh objektivin e këtij diskutimi, aspektin teorik dhe praktik të kësaj materie kaq voluminoze, do të shqyrtojmë përciptazi shkaqet dhe faktorët që sjellin deri tek paraqitja dhe përhapja me përmasa kërcënuese të këtij vesi kompleks që me një shpejtësi marramendëse dëmton dukshëm mirëqenien e mbarë njerëzimit, pa mos anashkaluar edhe mjedisin tonë vulnerabil. Përkundër ligjeve dhe konventave antidrogë që ka miratuar çdo shtet, dukuria e narkomanisë sa vjen e po bëhet më aktuale, ngase po rritet numri i konsumuesve të rinj, bile edhe ndër nxënësit e shkollave fillore.

Është një rrjet aq mirë i organizuar i prodhimit, përpunimit, distribuimit dhe përdorimit të drogës, saqë edhe masat më të rrepta legale nuk kanë gjasa për një kohë të gjatë ta zhdukin. Mbetet që të kufizohen këto kanale të thella, që të ndërgjegjësohet rinia jonë dhe së paku deklarativisht të potencohen rrethanat parandaluese dhe favorizuese që çojnë në një ekspansion masovik të kësaj shprehie ogurzezë. Kjo për vetë faktin se deri më sot nuk kemi një program nacional kundër narkomanisë, në të cilin rolin e vet të pazëvendësueshëm do ta jepnin të gjitha strukturat dhe institucionet shoqërore e shtetërore, siç janë shërbimi shëndetësor, organet e rendit e të përndjekjes, mediumet, sistemi i përgjithshëm arsimor, feja e të ngjashme. Sugjerimet e mësipërme nuk janë ndonjë parafrazim megaloman, por një përvojë mjaft dobiprurëse që vite me radhë po zbatohet në vendet e zhvilluara perëndimore dhe SHBA.

Meqë momentet etiologjike janë të shumta, faktorët dhe rrethanat që shpien deri në përhapjen e narkomanisë do t’i klasifikojmë në tre grupe, edhe atë: faktorët që përcaktojnë personalitetin e narkomanit, kushtet socio-ekonomike dhe vetë substanca psikoaktive si faktor provokues.

  1. Për sa i takon veçorive që karakterizojnë tiparet e personit që konsumon drogë, mund të thuhet se në rastet tipike këto subjekte janë adoleshentë psiko-labil të cilët përveç tjerash jan
    ë intolerant ndaj streseve dhe traumave fizike dhe psikike, endacakë me teke të çuditshme, psikopatë latentë që janë personalisht të papjekur, neurotikë dhe individë që i përkasin grupit “border line”, si dhe një dyzinë delikuentësh që i ka inaktivizuar për punë kreative ndjenja e mosbesimit dhe agresivitetit.



  1. Më të akuzuar dhe njëherit më të prevenueshëm janë konditat socio-ekonomike, në të cilin rolin dominant e ka funksionimi i shëndoshë i mjedisit familjar me të gjitha premisat e harmonizuara morale dhe materiale. Ambienti ku rinia shkollohet dhe edukohet, pa dyshim, ndikon pozitivisht dhe në shumë raste negativisht në paraqitjen e kësaj dukurie të mbrapshtë. Raportet e këqija ndërnjerëzore që ekzistojnë dhe në mënyrë perfide maskohen nga udhëheqësit lokalë irritojnë të rinjtë, të cilët janë më të ndjeshëm ndaj padrejtësive, edhe ashtu zhgënjyese, papunësia dhe neglizhimi pothuajse total i shtetit ndaj të rinjve kontribuon në shtimin e numrit të narkomanëve.




  1. Substancat e ndryshme psioko-aktive, me cilësitë e tyre toksike dhe farmakoterapeutike, përbëjnë një moment tjetër inicues dhe favorizues që të rritet pa ndalë aradha e atyre që shpëtimin idilik e kërkojnë dhe gjenë tek droga, ose siç shprehet një psikiatër i njohur i Zagrebit, Ceriq, tek “patericat kimike”.


Për sa u përket të dhënave epidemiologjike dhe statistikore mbi numrin e përgjithshëm të narkomanëve nëpër vendet e ndryshme të botës, duhet të jetë i rezervuar mbi saktësinë dhe prezentimin real të gjendjes faktike, ngase eksperienca ka treguar se për çdo të regjistruar si viktimë e lëndëve të ndryshme që e harlisin gjendjen mendore dhe shpirtërore vinë së paku edhe 10 individë që fshehtas e përdorin drogën, d.m.th. as edhe më të afërmit nuk e dinë se i pikasuri është narkoman.

Megjithëkëtë, sot llogaritet se në përmasa botërore ka më se 200 milionë narkomanë aktiv, nga të cilët dy të tretat e përbëjnë grupmoshën deri në 28 vjeç, kurse nga numri i mësipërm rritet përqindja e atyre 12-13 vjeç, që sigurisht duhet të na brengosë të gjithëve. Ajo që duhet të theksohet këtu është se, në dy dekadat e fundit është dyfishuar numri absolut dhe relativ i përdoruesve të drogës si rezultat i rënies së bllokut socialist. Vlen të përmendim se toksikomania i përngjet një sëmundje infektive, ngase çdo konsumues droge patjetër në këtë lojë të rrezikshme e fut herët a vonë shokun e vet më të ngushtë. Ajo që i shtyn të rinjtë tanë, sidomos, që të provojnë njëherë drogë dhe më pas të mos ndahen kurrë nga ajo, qëndron në të dhënën që çdokush më e din, se përfitimet nga kontrabanda me drogë janë astronomike dhe brenda natës.

Duhet të na shqetësojë fakti se, edhe përdorimi legal i medikamenteve anksiolitike, hipnotike, bile edhe narkotike, që arsyetohet fare lehtë nga mjekët me anë të recetave, indirekt shton kuotën e narkomanëve. Duke analizuar të dhënat komparative statistikore mbi përmasat e narkomanisë nëpër vendet e ndryshme të botës, mund të thuhet se në trevat tona narkomania nuk është edhe aq e përhapur dhe pikërisht gjendet në stadiumet fillestare, që nuk përjashton mundësinë e një vale të madhe që mund të pllakos në një të ardhme të afërt. Kjo para së gjithash kur dihet mentaliteti ynë patologjik për të fituar para me batakçillëqe alla kollumbiane.

Derisa jemi tek shkoqitja e faktorëve stimulues dhe inhibues të kësaj dukurie me pasoja të rënda shëndetësore dhe implikime të parenovueshme socio-ekonomike, është e udhës të pranojmë si tepër inkurajuese studimet e shumta nëpër SHBA, të kryera nga Instituti Nacional i Abuzimit me Drogë (NIDA), në të cilat është konstatuar se masat e ndryshme preventive deri në 50% kanë ulur numrin e narkomanëve ndër adoleshentë për një periudhë kohore 10 vjeçare. Më tutje në këtë raport vihet në dukje se, programi parandalues ul koston e shpenzimeve për 4 herë në mjekimin dhe shërimin definitiv të një narkomani. Cilat janë, pra, këto masa profilaktike që mundësojnë një efikasitet të tillë kundër kësaj sëmundje sociale? Para së gjithash, duhet punuar më tepër me prindërit dhe arsimtarët të cilët rrisin dhe edukojnë brezin e ri, gjë të cilën në rend të parë duhet ta bëjë personeli mjekësor në krye me mjekët familjar, psikiatrët, psikologët, sociologët dhe pedagogët.

Vuajtjet e shumta jetësore na kanë mësuar se një e keqe nuk shkon e vetmuar, andaj edhe ky “dëfrim” rrënues përcillet me rritjen e numrit të të sëmuarve nga hepatiti, SIDA, si dhe kriminalitetit në formë vjedhjesh, dhunës, prostitucionit dhe vrasjeve. Një gabim tjetër ndër ne bëhet kur i stigmatizojmë narkomanët, të cilët edhe më tepër mbyllen në botën e tyre të pashpresë, duke i çuar të njëjtit kah gremina e izolimit dhe bojkotimit social dhe profesional. Duhet të dijmë se edhe ata janë njerëz të cilëve u duhet ndihmë jo vetëm mjekësore, por edhe mbështetje morale e materiale për një risocializim sa më human, qëndrim ky i cili shumë do të rriste numrin e atyre që do të heqin dorë nga ky aktivitet keqbërës.

Thursday, April 26, 2012

Si jetoj me djalin e droguar

Një nënë që jeton prej dhjetë vitesh me djalin e droguar u rrëfye në emisionin ‘Pasdite në Top Channel’ duke zbuluar dramën e saj.

“Për herë të parë e kuptova që djali im përdorte drogë kur pashë një shiringë në momentin që po fusja rrobat në lavatriçe. Nuk dinim ku të kërkonim ndihmë, u traumatizuam. Fillimisht ai nuk e pranonte, por unë e kuptova sepse kërkonte lekë vazhdimisht”, shprehet gruaja që nuk preferoi të identifikohej.

Më tej, nëna e 27-vjeçarit tregoi hapat që ndërmori për ta larguar të birin nga rruga e drogës: “E shtrova në spital ku ndenji 10 ditë, por pas një muaji gjendja ishte e njëjtë. Ka qenë një nga dramat më të këqia në familje. Kur nuk merrte dozën e heroinës bëhej agresiv e pasi e merrte dozën bëhej i dhimbshëm.”

“Mërzitet shumë, nuk ushqehet, nuk i flitet... Kur merr ilaçet normalizohet, por tani që po ia ulin dozën e mjekimit është sërish agresiv. Unë mundohem t’i flas, por ai nuk më duron më”, shton nëna.

“Bashkëshorti u sëmur që kur e mori vesh që merrte drogë. Nuk e përballoi dot. Kaloi paralizë cerebrale dhe vazhdon të jetë i sëmurë”, tregon gruaja, e cila burgun nuk e ka shikuar kurrë si mundësi rehabilitimi.

“Burgun nuk e kam menduar ndonjëherë. Shpresoj që mjekimet të bëjnë efekt. Këtë që më ka ndodhur mua nuk ia uroj asnjë nëne në botë”, përfundon nëna.