Jo Droges Blog

Tuesday, April 29, 2014

Kanabisi: këtë duhet ta dini

Kanabisi: këtë duhet ta dini


Sa shpesh thithin kanabis të rinjtë?
Në kantonin e Cyrihut kanabisin e kanë provuar një herë në jetën e tyre 30% e djemve dhe vajzave 14-deri 15-vjeçarë/-e (HBSC, 2007). Pak më shumë se 9% e 15- deri 24-vjeçarëve të Zvicrës më 2007 kanë thithur rregullisht, dmth. Çdo ditë, duke dëshmuar kështu një konsum problematik (ESPAD, 2007).
Ç’ është kanabisi?
Me hashashin nënkuptohet rrëshira nga lulet e kërpit. Si marihuanë përcaktohen majat e petaleve dhe gjethet e po kësaj bime. Marihuana ndryshe quhet edhe “bar”. Kanabisi më së shpeshti përzihet me duhanin dhe thithet në formë xhoint-i (Joint). Më të rrallë ai përgatitet në biskota ose çaj.
Si ndikon kanabisi?
Ndikimi varet nga sasia, nga cilësia, nga konstitucioni individual dhe nga gjendja momentale fizike dhe psikike. Kanabisi përforcon ose topit disponimin ose ndjenjat e pranishme. Pos kësaj, ai ndryshon ose cenon perceptimin, aftësinë për t’u përqendruar ose për të reaguar si dhe vëmendjen e memorien afatshkurtër. Kanabisi nuk është i parrezikshëm, mirëpo kur konsumohet me masë, nuk është më i dëmshëm se alkooli. Fizikisht nuk të bën të varur, mirëpo mund të shpjerë në varësi psikike. Kanabisi nuk përfaqëson drogën hyrëse për në botën e drogave “të forta”.
Përse konsumojnë kanabis të rinjtë?
Të rinjtë konsumojnë kanabis shpesh bashkë me shokët dhe shoqet dhe përjetojnë kështu ndjenjën e përkatësisë së përbashkët grupore. Në epiqendër gjendet kureshtja dhe kërkimi për kënaqësi dhe relaksim.
A është konsumi i kanabisit problematik?
Konsumi i kanabisit tek të rinjtë (nën 15 vjeç) është përgjithësisht problematik dhe për edukatorët përgjegjës do të duhej të ishte një shenjë e qartë alarmuese. Për organet e frymëmarrjes dhe për sistemin kardiovaskular (zemër&qarkullim i gjakut), kanabisi shpesh është akoma më i dëmshëm se duhani, sepse tymi i tij thithet veçanërisht thellë. Dozimet e larta mund të shkaktojnë sulme paniku ose gjendje ankthi. Përmes thithjes së kanabisit cenohet shkalla e memories dhe e kohës për reaksion. Për këtë shkak është i rrezikshëm drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive nën ndikimin e kanabisit. Në rast përdorimi të rregullt të kanabisit, do të bjerë kapaciteti përqendrues, vëmendja dhe aftësia për të mësuar, ndërsa konsumi intensiv dhe afatgjatë i kanabisit mund të shpjerë në varësi psikike. Tek njerëzit me probleme psikike ose neurologjike, konsumi i kanabisit mund të shkaktojë ose përforcojë depresionet ose sëmundjet tjera të rënda psikike.
Si duket konsumi problematik?
Shenja të një konsumi problematik mund të jenë:
  • Rënia e papritur e efikasitetit dhe mungesat e shpeshta në shkollë ose në vendin e punës.
  • Tërheqja (izolimi) dhe mbyllja në vetvete, ndërrimi i papritur i shoqërisë.
  • Pakënaqësia e apatia dhe/ose luhatjet emocionale
  • “Thithja” bëhet çështja kryesore në jetë: pa kanabis bëhen të pamundur relaksimi, zënia e gjumit ose aktivitetet profesionale.
Përcaktimet ligjore
Kanabisi është një lëndë narkotike ilegale. Janë të ndaluara kultivimi, tregtimi, zotërimi dhe konsumi i tij. Në komunikacionin rrugor vlen toleranca zero: ai që thith kanabis dhe njëkohësisht drejton automjetin, dhe zihet, do ta dorëzojë menjëherë për kohë të pacaktuar patentën e tij të shoferit.
Ç’duhet bërë?
Në rast se si prindër supozoni ose e dini me siguri se djali ose vajza juaj konsumon kanabis:
  • I flisni fëmijës suaj lidhur me të.
  • Në rast hamendësimi ose konstatimi të konsumit të drogës, gjatë bisedës me djalin ose vajzën tuaj mos reagoni me panik dhe mos e mbuloni atë me akuza.
  • Tërhiqni vërejtjen mbi rreziqet nga konsumi i kanabisit.
  • Bëjeni të qartë pikëpamjen tuaj dhe bini në ujdi me djalin ose vajzën për vendosjen e rregullave.
Kërkoni përkrahje në ndonjë këshillimore, në rast se vëreni se situata është përkeqësuar. I kujtoni djalit ose vajzës ofertat ekzistuese nga këshillimoret.
Informacione të hollësishme gjeni në broshurën „Konsumimi i duhanit, alkoolit dhe kanabisit nga të rinjtë“:

Tuesday, April 22, 2014

Dëmet e pakthyeshme të hashashit

Dëmet e pakthyeshme të hashashit


 Studimet e reja që “kryqëzojnë” narkotikun e lehtë, më të përhapurin në botë. Të rinjtë nga mosha 15-19 vjeç, gjithnjë e më shumë kanë provuar kanabis vitet e fundit. Dëmet në tru të atij që e konsumon këtë drogë, shfaqen edhe dhjetë vite më pas.

Tymosja e kanabisit gjatë adoleshencës mund të paracaktojë shqetësimet mendore në një fazë më të vonë të rritjes. Kjo e dhënë del nga studimet më të fundit, që përforcojnë atë çka dihej tashmë mbi pasojat e konsumit të kësaj droge, përtej efekteve të menjëhershme të saj, siç janë përgjumja apo mungesa e përqendrimit, sidomos në timon. Deri pak kohë më parë, mendohej se pasojat e kësaj droge merrnin fund këtu, pasi u konstatua se organizmi i njeriut nuk lodhet aspak për ta eliminuar substancën. Por në fakt kërkimet e fundit të neurobiologjisë treguan se pasi keni përdorur një herë kanabis, truri ruan për vite të tërë gjurmë të drogës.


Hashashi në fakt shkakton një dëmtim të përhershëm, sepse ndikon në zhvillimin e lidhjeve nervore që ndodhin gjatë adoleshencës, duke favorizuar çrregullimet mendore si depresioni dhe skizofrenia, që kompromentojnë direkt inteligjencën.


Zbulimet e reja janë shqetësuese, sepse në të gjithë Evropën, konsumatorët kryesorë janë pikërisht adoleshentët. Të dhënat e raportit të fundit të ESPAD (Monitorimi mbi përdorimin e drogave dhe alkoolit në shkollë) në Itali, flasin qartë se 22 për qind e të rinjve në moshën 15-19 vjeç (pra gati 1 në 4 të rinj), ka provuar të paktën një herë kanabisin vitin e fundit. Vlera më të larta përllogariten në zona si Lombardia, Liguria dhe në rajonet e Qendrës së Italisë, nga kur rezulton se meshkujt e konsumojnë më shumë këtë drogë se femrat. Konsumin e kanabisit e favorizojnë më shumë edhe disa stereotipe të saj, të njohura për aftësitë qetësuese, të lehta, me pak më shumë efekte se alkooli dhe që nuk krijojnë varësi.





Provat


Kurrë si sot, të dhënat mbi rolin e kësaj substance mbi çrregullimet mendore nuk kanë qenë kaq të forta. Studimet po shtohen, sidomos mbi raportin mes drogës dhe skizofrenisë. Kjo psikozë, e karakterizuar nga një çorganizim i mendimit dhe sjelljes, përveç aluçinacioneve është konstatuar në 1.1 për qind të popullsisë. Ashtu si edhe për shumë patologji të tjera psikike, nuk njihet origjina, por konsiderohet se vjen nga një grup faktorësh, pasi shkaktohet si nga ana gjenetike edhe ajo ambientale (histori familjare, raporte sociale).


Në vitet tetëdhjetë, hashashi është etiketuar si shkak i mundshëm për skizofreninë. Por në vitet e mëvonshme, nuk është gjetur asnjë lidhje e sigurt mbi efektet që ajo të mund të shkaktojë apo për lidhje me ndonjë sëmundje të rëndë. Në këto kushte, dy përfundime janë të mundshme: Ose kanabisi favorizon skizofreninë, ose personat që vuajnë nga kjo sëmundje e konsumojnë më shpesh. “Shumë të rinj, mendojnë se e mbajnë ankthin nën kontroll duke përdorur kanabis. Ndërsa për shumë kohë është lakuar shpesh teza se përdorimi i kanabisit ka si pasojë një sëmundje të rëndë”, shpjegon Jean Philippe Gueuen, psikiatër i specializuar për adoleshentët dhe të rinjtë. Megjithatë, sot nga shumë hetime e studime epidemiologjike mbi të rinj është parë se ata nuk kanë psikoza skizofrenie para se të nisin të përdorin kanabis. Risku për të pasur psikoza të tilla, është rritur me përdorimin e kësaj droge.





Shpejt dhe keq


Nga ana tjetër, një studim i vitit 2011 i realizuar nga Universiteti i Maastricht (Vendet e Ulëta), nxjerr në pah një risk të dyfishtë për sëmundjet mendore tek të rinjtë që kishin pirë kanabis të paktën pesë herë në vitet e fundit. I njëjti hetim ka konfirmuar gjithashtu një faktor thelbësor: Sa më shumë konsumoni kanabis, aq më shumë rritet risku për skizofreni. Në vitin 2008, Instituti i Higjienës Mendore në Hollandë ka shtuar se në rast të shkëputjes nga droga në moshë të rritur, risku për sëmundjet mendore mbetet i njëjtë. Megjithatë, bazuar në literaturën shkencore të publikuar nga disa kërkues në Universitetet e Bristolit dhe Cambridge-it, kanë përllogaritur një rritje prej 40% të rrezikut të sëmundjeve mendore tek adoleshentët që konsumojnë kanabis në mënyrë të rregullt. Përqindja është akoma më e lartë tek ato persona që kanë edhe një lidhje gjenetike me këtë sëmundje.


Skizofrenia nuk është i vetmi rrezik. Shqetësuese është edhe sëmundja e depresionit. Të paktën kështu rezulton nga kërkimet dhe studimet e bëra së fundmi për pasojat e drogës së kanabisit tek përdoruesit. Kjo sëmundje prek 3% të popullsisë botërore. Në vitin 2012, për shembull, një studim i Universitetit të Michiganit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka evidentuar një rritje të rrezikut për të pasur depresion nga 60 në 90 për qind për konsumatorët e kanabisit. Ndërsa një hetim në Karolinska Institut të Stokholmit, (Suedi), ka nxjerrë se nuk ka asnjë rritje të riskut për depresion tek konsumatorët e kanabisit.


Si shpjegohen këto rezultate të ndryshme?


Sipas Tiziana Rubinos, e specializuar në fushën e kërkimit në Universitetin e Insubria, këto mospërputhje në rezultatet e studimeve, vijnë nga fakti se studimet nuk bazohen në të njëjtat tipologji të atyre personave që përdorin kanabis. “Do të duhej që të përqendroheshim tek ata konsumatorë që përdorin më shumë se një herë në ditë kanabis. Mes tyre risku është më real. Por duhen bërë edhe krahasime mes konsumatorëve, pasi dy konsumatorë të njëjtë mund të kenë pasoja jo domosdoshmërisht të ngjashme. Për shembull, duket se femrat janë më të ndjeshme ndaj efekteve të kanabisit tek depresioni. Ndërsa burrat kanë më shumë rrezik tek psikozat, skizofrenia.





Inteligjenca bëhet tym


Ekziston në fakt, edhe një e keqe më e madhe që duket se konsumon pak nga pak trurin e atyre që përdorin kanabis. Efekti është i avashtë por ndikon në inteligjencë. Po bëhen gati 10 vite që analizat tregojnë pasojat që përdorimi i hashashit lë tek konsumatorët në aftësitë e tyre për të logjikuar, mbajtur mend etj., edhe pse janë testuar ditë më vonë pas konsumit të drogës. Një kontribut i rëndësishëm në kërkimet mbi efektet e vonshme që vijnë nga përdorimi i kanabisit, erdhi në vitin 2012, kur një grup kërkuesish të Universitetit Duke në SHBA publikoi një studim për këtë çështje. Pasi ndoqën rreth 1000 raste, në moshën nga 1-38 vjeç, rezultatet treguan se mes adoleshencës dhe moshës së rritur, personat që konsumojnë kanabis, pësojnë një ulje të inteligjencës në nivelin 8 për qind. Ndërkohë që ata që nuk konsumojnë, pësojnë një rritje të lehtë. I njëjti rezultat shihet edhe tek personat që kanë hequr dorë prej më shumë se një viti nga konsumi i drogës, por sërish niveli i tyre i inteligjencës ulet. Shifrat rriten për atë kategori personash që kanë nisur të konsumojnë kanabis para moshës 18 vjeç.





Kurthi i THC-së


Pra, përdorimi i kanabisit mund të sjellë skizofreni, depresion, ulje e nivelit të inteligjencës. Si shpjegohen këto efekte që shfaqen tek personat edhe kur kanë vite që kanë hequr dorë nga droga kanabis? Përgjigjja përfundimtare është ende larg sepse mekanizmat celebralë që ndodhen në qendër të këtyre sëmundjeve kanë ende shumë anë të errëta, të pazbuluara. Megjithatë, një shpjegim disi është dhënë. “Kanabisi pengon zhvillimin normal të lidhjeve nervore që marrin hov gjatë adoleshencës”, thotë Daniela Parolaro, specialiste farmakologe në Universitetin e Insubrias.


Fenomeni, i cili është thelbësor në zhvillimin e trurit në adoleshencë, përfshin një tip të veçantë lidhësish nervorë, endokanabinoidët. Nga zbulimet e vitit 1990, rezulton se këto molekula, rregullojnë impulset nervore që vijnë nga neuronet. Molekula aktive e kanabisit, THC (delta 9 tetrahidrokanabidol), ngjan shumë me molekulat që rregullojnë impulset nervore. Kjo i lejon asaj që të lidhet me to duke penguar kështu veprimet natyrore që duhet të ndodhin në tru nga përçuesit nervorë. Në këtë mënyrë, kanabis stimulon lëshimin e dopaminës, molekulës cerebrale të lidhur me ndjenjën e qejfit dhe të lumturisë.





Çekuilibrim trunor


Studime të tjera flasin për ndryshimet strukturore në trurin e konsumatorëve të kanabis dhe atyre që nuk e konsumojnë këtë drogë. Në një publikim të bërë në vitin 2005 të ekipit të Karen Bolla të John Hopkins University në SHBA, janë vënë re disa ndryshime të densitetit të lëndës së bardhë (ajo pjesë e trurit që përmban më shumë lidhje nervore) dhe pjesës gri.


Eksperimente të tjera të bëra tek kafshët, kanë nxjerrë në dritë anomali të shumta në tru, gjatë përdorimit të kanabisit. Në veçanti, shpjegon Tiziana Rubino “vihet re një çekuilibrim i ngjashëm me personat që kanë skizofreni”. Megjithatë, ajo shprehet optimiste. “Këto efekte zgjasin në kohë, por nuk besoj se janë të pakthyeshëm. Kur ndalohet përdorimi i kanabisit dhe ndiqet një regjim i mirë rikuperimi, truri ka aftësi të riparojë dëmet e shkaktuara”, shprehet Rubino. Po kështu, edhe neurosociologu Raymond Niesink, shprehet se disa pjesë të trurit arrijnë të kompensojnë pjesën e dëmtuar. Në këto kushte, duhet të presim vitet që vijnë për të pasur ndonjë zhvillim, studim apo kërkim të ri për sëmundjet e skizofrenisë apo depresionit tek të rinjtë që konsumojnë kanabis. Ndërkohë, numri i të prekurve nuk duket se rritet në krahasim me numrin e të rinjve që përdorin këtë drogë. Por në çdo rast, rrethi shtrëngohet e në pritje të përgjigjeve përfundimtare, momentalisht janë miliona adoleshentë në botë që e ekspozojnë trurin ndaj dëmeve të shumta që shkakton kanabis.

JO drogës! JETO shëndetshëm! – Informacion për Drogat:-Jo Droges ...!

JO drogës! JETO shëndetshëm! – Informacion për Drogat:-Jo Droges ...! 




Që prej 7 Dhjetorit 1987, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e vendosi 26 Qershorin si Ditën Ndërkombëtare Kundër Abuzimit dhe Trafikimit të Drogave si shprehje e angazhimit për të forcuar veprimin dhe bashkëpunimin me qëllimin për të shkuar drejt një shoqërie pa drogë.

Droga, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme nga bashkësia ndërkombëtare vazhdon të jetë një problem i madh për shëndetin publik, sigurinë dhe mirëqenien e njerëzimit.
Ashtu si në të gjithë botën, dhe në Shqiperi përdorimi i substancave abuzive, përfshirë ato legale dhe jo legale është në rritje vitet e fundit, kjo për shumë arsye. Ndër grupet më të prekura janë adoleshentët dhe të rinjtë. Vitet e fundit ka një rritje të përdorimit të këtyre substancave nga femrat, sidomos përdorimi i marijuanes. Ndërsa për drogat e tjera më të forta, si heroinë, kokainë, ekstazia , etj, predominon ndjeshëm numri i meshkujve.
Referuar të dhënave të fundit të raportit te EMCDA për vitin 2010, numri i personave që janë apo kanë përdorur substanca ilegale, varion nga 40.000 – 60.000 persona, nga ku mendohet se rreth 10-15% e tyre janë përdorues të drogave intravenoze, kryesisht heroinë dhe kokainë. Shihet se ka një rritje të ndjeshme të tyre këto vitet e fundit.
Numri i përgjithshëm i të rriturve (15-64 vjeç) të cilët kanë provuar lloje të drogave të paligjshme është vlerësuar të jetë rreth 5 000 në 1995 dhe 20 000 më 1998. Shihet një rritje të konsiderueshme që prej 1995.
Në një studim realizuar nga Instituti i Shëndetit Publik më 2009, fokusohet në popullatën e shkollave të mesme dhe ka një masë kampioni rreth 3 878 pjesëmarrës. Variabli i SSRrR mbi prevalencën jetësore të përdorimit të drogës përputhet me përkufizimin e rastit sipas EMCDDA. Studimi tregoi se 7,4 % e personave të moshës 15-18 vjeç kanë eksperimentuar kanabis, 4,2 % me ekstazi, 1,2 % me heroinë, dhe 3,2 % kishin përdorur kokainë.
Fenomeni i abuzimit me drogat në Shqipëri është më shumë një problem urban se sa rural ku numrin më të madh të personave të prekur nga përdorimi e kanë qytetet e mëdha. Nga drogat e përdorura prevelancën më të madhe e ka kanabisi me derivatet e tij (marijuana dhe hashish), në vend të dytë vjen përdorimi i heroinës dhe në vend të tretë kokaina. Shifrat lidhur me numrin e përdoruesve në Shqipëri janë kontradiktore.

Strategjia Kombëtare kundër Drogës 2012–2016
Strategjia është gjithëpërfshirëse dhe mbulon njëkohësisht reduktimin e kërkesës për drogë dhe reduktimin e furnizimit me drogë. Kjo ishte produkt i pjesëmarrjes së të gjithë institucioneve qeveritare të përfshira në luftën kundër drogës, si dhe organizatave jo-qeveritare, dhe me një mbështetje të madhe nga ekspertët e organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri.
Strategjia njeh natyrën serioze të problemit të drogës në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar dhe pranon se suksesi mund të arrihet vetëm me bashkëpunimin dhe bashkërendimin e përpjekjeve të të gjitha palëve vepruese, konkretisht të qeverisë, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Parandalimi
Rëndësia e parandalimit të drogës në Shqipëri është pasqyruar në miratimin e Strategjisë Kombëtare kundër Drogave. Në aktivitetet parandaluese janë përfshirë nxënës, studentë, mësues, staf mjekësor,etj.

Trajtimi
Strategjia përfshin objektiva dhe masa të orientuara drejt reduktimit të kërkesës për drogë dhe kontrollit të ofertës njëkohësisht.
Sipas Strategjisë Kombëtare Kundër Drogës 2012–2016 (konkretisht komponenti i saj për reduktimin e kërkesës për drogë në shkallë vendi): (a) programet e trajtimit me metadon (zëvendësimi afat-gjatë) duhet të mbulohen nga qendra të specializuara; (b) lëshimi i recetave mjekësore në periudhën e parë nuk duhet të shtrihet deri tek mjekët e familjes; (c) duhet të zbatohet një kërkesë rigoroze për trajnim të specializuar për mjekët që lëshojnë recetën; dhe (d) trajtimi me metadon ka nevojë për një metodologji të veçantë dhe jo legjislacion të veçantë. Rrjedhimisht, politika aktuale e trajtimit me metadon në Shqipëri duhet të përpiqet të ndjekë këto udhëzime.

Ekziston vetëm një qendër publike e specializuar në trajtimin e drogës në Shqipëri, Shërbimi i Toksikologjisë Klinike në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ në Tiranë (QSUT). Kjo është një qendër publike, përgjegjëse për të gjithë vendin, dhe merret kryesisht me trajtimin e detoksifikimit dhe të mbidozës. Ajo shërben njëkohësisht si njësi spitalore për shtrimin e pacientëve dhe si njësi shërbimi për pacientët ditorë, dhe është burimi kryesor i të dhënave për kërkesat për trajtim.
Përgjigjet ndaj reduktimit të dëmit janë të fokusuara në shkëmbimin e ageve/shiringave, edukimin e bashkë-moshatarëve, informim dhe këshillim, mbështetje mjekësore bazë dhe mbështetje psikosociale.
Në Shqipëri nuk ka të dhëna të besueshme mbi numrin e vdekjeve nga droga (drug-related deaths – DRDs). Informacioni zyrtar për vdekjet nga droga është i dobët, madje virtualisht jo-ekzistues për disa arsye: (a) legjislacioni dhe çështjet rregullatore nuk pasqyrojnë situatën aktuale në vend, dhe kërkesat nuk janë të rrepta; (b) ka ende mungesë të vetëdijes (ndërgjegjësimit) ndërmjet stafit mjekësor për vdekjet e lidhura me drogën, dhe, si pasojë, një vdekje e shkaktuar nga mbidoza e drogës diagnostikohet në rutinë si atak/pushim zemre; (c) ka ende mungesë bashkëpunimi dhe bashkërendimi ndërmjet agjencive përkatëse dhe ndër-shkëmbimi i të dhënave është i pakët; (d) megjithëse Laboratori Toksikologjik i Institutit të Mjekësisë Ligjore është plotësisht i aftë të kryejë konfirmimin e vdekjeve që kanë lidhje me drogën, ka mungesë informacioni për ekzistencën e një agjencie të tillë të kualifikuar; (e) për më tepër, analizat lëngjeve të trupave nga vdekjet toksikologjike jane shumë të rralla, për arsye ende të theksuar të stigmës lidhur me dukurinë (fenomenin) e drogës, për çka, Instituti i Mjekësisë Ligjore nuk është i autorizuar të kryejë autopsinë nëse nuk i kërkohet (nga familjarët e viktimës).

Efektet e drograve !!!




Konsumi i drograve nga të rinjtë dhe studentët shqiptarë është bërë gjithmonë e më shqetësues. Ndërsa drogërat e lehta janë ato më të përdorarit, numri i përdoruesve të substancave të tjera narkotike është në rritje të vazhdueshme.



Kanabis: Konsumimi i tij fillon në moshë të mitur. Në kohë të shkurter shkakton çlodhje, alterim të perceptimit, eufori, rritje oreksi. Mbidoza mund të sjellë gjendje paniku dhe haluçinacione.

Ekstazi: Mban vendin e dytë në konsum pas kanabisit në shumë vende perendimore. Jep çlodhje, si dhe një eksitim “intelektual” dhe seksual. Mund të shkaktojë probleme kardiake, hipertension apo hipertermi.

Qetësuesit: Merren nga goja, shpesh të shoqeruar me alkool. Për kohë të shkurter japin lehtesim të ankthit dhe tensionit, eufori, ulje të vemendjes, levizje të çrregullta.

Haluçinogjenët: Për kohë të shkurter substanca ndryshonë perceptimin dhe rrit energjinë. Mbidoza provokon konfuzion mendor, ankth, haluçinacione.

Amfetaminat: Merret nga goja apo me injeksion. Për kohë të shkurter, rrit shumë vëmendjen, sjell eksitim, eufori dhe ulje të oreksit. Mbidoza jep irritim, pagjumesi, çrregullime në stomak.

Kokaina: Merret nga hunda, tymoset apo injektohet. Sjell ndjenjë besimi në vetvete dhe fuqi, që pasohet nga ankthi, depresioni, irritimi.

Opiatet: Merren nga goja, hunda ose me injeksion. Efektet jane; euforia, një ndjenjë mirëqenie dhe kënaqesie qe pasohet me probleme psikologjike.

Droga, gjithçka që askush nuk ta ka thënë kurrë !!??

Droga, gjithçka që askush nuk ta ka thënë kurrë !!??



Problemi drogë: shkaqet dhe rrugëdaljet

Duke menduar problemin drogë, reagimi im i parë është hidhërimi majft i madh, i cili rrjedh nga konstatimi se si akoma edhe një herë shoqëria nuk lufton për të mirën, por kënaqet duke administruar të keqen; nuk propozon të mirën më të madhe, por kufizohet në pakësimin e dëmit (si p.sh.propozimet për administrimin e kontrolluar të heroinës, depenalizimin e përdorimit të disa drogave duke i konsideruar disa të “lehta”, ndërsa në realitet nuk janë te tilla…)



Jemi të bindur që jo vetëm beteja kundër drogës është tashmë e humbur, por as nuk duam ta luftojmë atë, të nënshtruar nga humbja, me dëshirë, në dukje për të kufizuar dëmet, por në të vërtetë duke refuzuar kërkesat e larta të politikave shoqërore dhe ndryshimeve kulturore, prej të cilave mund të shpresohet të arrihen rezultate më njerëzore për të gjithë.



Droga ia dorëzon të riun vartësisë, duke e burgosur në të, duke e shkëputur nga marrëdhëniet familjare dhe nga pjesëmarrja në jetën shoqërore dhe e përcjell atë në vdekjen e ngadaltë. Droga është një e keqe, bën gjithmonë keq e vetëm keq nga ana fizike, psikologjike, shpirtërore, familjare, shoqërore si edhe në aspekin e punës dhe atë kulturor.

Përdorimi i saj minon cilësinë e jetës në të gjitha nivelet.



Shkaqet duhen kërkuar: në krizën dhe në shpërbërjen familjare, në shqetësimet rinore, në individualizmin dhe indiferencën, në mungesën e punës dhe të mundësive të të rinjve, si edhe në kushtet e një kulture ku lejohet çdo gjë.

Rrugëdaljet janë: politikat sociale serioze, projektet për adoleshentët e të rinjtë, nxitja e kulturës së jetesës, të personit, të familjes, kërkimi dhe krijimi i formave të reja pedagogjike duke u nisur nga shkollat… Duhet çliruar njeriu, të nxiten vlerat e jo veset, të ngulmohet e zhvillohet shëndeti në kuptimin më të gjërë të fjalës, dinjteti i qytetarit, të ndihmohet reflektimi personal dhe ai shoqëror, në mënyrë që të ndihmohet pjesëmarrja dhe interesimi në këto fusha.



Droga-Problem Shoqëror

Ka një rrezik që vjen nga padija, nga mëndjelehtësia dhe nga egoizmi që na ndalon të kuptojmë kërcënimin që i bëhet vetë jetës sonë dhe asaj të fëmijëve tanë, është një mënyrë të menduari. Eshtë mentaliteti egocentrik që ushqehet nga privatizmi dhe liberalizmi, individualizmi, konsumizmi, liritë e tepruara, boshllëqet ekzistenciale, vetmia, shqetësimi për sende dhe mungesa e marëdhënieve, rënia e vlerave, padrejtësia, moskokëçarja, degradimi, mbivlerësimi i egër i veseve që shiten si vlera.

Në këtë kuptim droga është frut i hipokrizisë shoqërore pasi është një e keqe, mikrobet e së cilës vetë shoqëria mbjell me kulturën e boshllëkut, të maskave dhe të idhujve. Dhe i le të bien këto mikrobe në botën afektive të pambrojtur të të rinjve, në vend që ti ushqejë sipas kritereve të thjeshtësisë e të solidaritetit që do të garantonin nivelin e një jete më njerëzore për të gjithë.

Pra droga është frut i miopisë shoqërore, sepse i ka rrënjët në papërgjegjshmërinë, në mungesën e projekteve politike e kulturore dhe është paradoksale, skandaloze dhe imorale që bie në lojëra interesash dhe pushtetesh pa arritur ose pa dashur të dënojë në mënyrë efikase dhe shembullore të korruptuarit dhe korruptuesit.



Përfundim

Problemi dhe “kërcënimi” të krijuar nga droga janë vetëm një presje në krahasim me morinë e problemeve dhe kërcënimeve që bëjnë pjesë në organizimin e jetës individuale dhe shoqërore të zotëruara nga kultura personale, e parasë dhe e tregut, e rehatisë dhe kënaqësisë, e suksesit dhe e afirmimit ose të dukjes individuale dhe trupore, të drejtuara nga kriteret aq shumë të përhapura për t’u bërë jo vetëm shkaku i të këqiave shoqërore të mëdha e të vogla; janë burimi më i madh i ndotjes për psikozën e të rinjve që dobësojnë dhe “sëmurin”, shkatërrojnë mentalitetin e përgjithshëm”, mënyrën e perceptimit të realitetit dhe vetë kuptimin e jetës.

Eshtë cilësia e jetës që duhet rishikuar; është modeli i zhvillimit ai që duhet korrigjuar, meqë, në nivel lokal, kombëtar e ndërkombëtar, është fakt që ky model krijohet nga “të mëdhenjtë” dhe nga “të fortët” për veten e tyre, për përfitimin dhe supermacinë e tyre, duke arritur të prodhojnë, fshehin, përjashtojnë një masë “të vegjëlish”, “të dobëtish”, “të varfërish”.

Shoqëria nuk do të shpëtojë as nga e keqja e drogës dhe as nga të këqiat më të rënda, shprehje e të cilave është droga, pa një revolucion kulturor, të përgjithshëm e të vazhdueshëm, që besimtarët e quajnë “kthesë” dhe që për të gjithë është ndërgjegjësimi për vlerat e jetës; pranimi i realitetit e njëkohësisht luftë për ta shndërruar atë në të mirë të të gjithëve duke u nisur nga më të fundit; ndjenja e personalitetit, e mbështetjes dhe mbrojtjes së familjes; edukimi qytetar, angazhimi etik, pasioni për të mirën e përbashkët, nismat shoqërore, bashkëpunimi; politika që nuk kufizohen në ekzistuesen, por dinë të projektojnë e të ndërtojnë të ardhmen.

Si përfundim është e nevojshme të luftohen “drogat-substancë”, duke luftuar dhe mundur “drogën-mentalitet”, të ndryshohet cilësia e jetës, të organizohet dhe të realizohet shpresa e përbashkët.

Droga që të kalb nga brenda quhet “Krokodil". (Imazhe të rënda)

Droga që të kalb nga brenda quhet “Krokodil". (Imazhe të rënda)


Droga që të kalb nga brenda quhet “Krokodil". (Imazhe të rënda)

Droga e quajtur “Krokodil” shkakton një imazh të tmerrshme te përdoruesit. Shkencëtarët po i trëmben së tepërmi kësaj droge që i ha të gjallë përdoruesit e saj. Sëmundja që shkaktohet nga kjo lloj droge është quajtur mishëngrënëse. Ajo ka mbërritur në brigjet amerikane dhe pikërisht rastet janë regjistruar në Arizona. Pamjet tronditëse që jepen në video tregojnë rastin e një pacienti të varur nga droga “Krokodil”. Trupi i tij është i mbushur me plagë të mëdha dhe të vogla në pjesë të ndryshme. Kjo drogë e tmerrshme ha mish nga jashtë dhe brenda trupit të njeriut. Mediat kanë raportuar dy raste këtë javë në Arizona duke u frikësuar nga fillimi i një epidemie. Droga “Krokodil” është më e lirë se heroina dhe ka përzjerrje me benzinë apo me naftë. Dy raste janë regjistruar në urgjencë ku dy të varur nga kjo lloj droge janë paraqitur me mishin e tyre të varur duke i ekspozuar kockat e trupit. Lëkura e pacientëve ishte e ngjashme me atë të një krokodili ndaj dhe kjo lloj droge është quajtur me këtë emër.

Tetë gjëra që nuk dini për marijuanën

Tetë gjëra që nuk dini për marijuanën


"A jeni të sigurt se dini gjithçka për marijuanën, për historinë dhe përdorimin e saj? Më poshtë do të gjeni disa kuriozitete tepër interesante rreth kësaj droge"

8. Marijuana nuk është kërp! Sa nga ju mendonin se marijuana ndoshta ishte kërp? Në fakt, ato e kanë gjethen shumë të ngjashme, por marijuana ka një lulëzim të ndryshëm, me THC të lartë, ndërkohë kërpi ka një përmbajtje të ulët. Gjithsesi, që nga viti 1970 këto droga janë shpallur si ilegale nga “Comprehensive Drug Abuse Prevention and Control Act”.

7. Qeveria e SHBA-së e përdori marijuanën për të luftuar nazistët. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë një film, titulli i të cilit është “Hemp for Victory”, pas Luftës së Dytë Botërore. Në këtë film vlerësohet përdorimi i marijuanës dhe fermerët inkurajohen për ta kultivuar atë në ndihmë të ushtrisë. Megjithatë, qeveria amerikane u detyrua që të gënjente për ekzistencën e një filmi të tillë deri në vitin 1989, derisa i dha një kopje Bibliotekës së Kongresit. Tani, atë mund ta gjeni edhe në “YouTube”.

6. Marijuana është përdorur për mijëra vjet si ilaç. Në Kinën antike, marijuana quhej “Ma”, ndërsa ajo përdorej për shumë qëllime: si karburant apo ilaç qysh në vitin 6000 Para Lindjes së Krishtit. Ndërkohë, në vitin 2737 Para Lindjes së Krishtit, perandori Rosso Shen Nung foli për vlerat e disa barërave e në mes tyre edhe për marijuanën, duke thënë se ajo mund të lehtësojë dhembjet e reumatizmës dhe të përdhesit.

5. Marijuana, sipas një studimi, u bën mirë mushkërive tona!

Sipas një studimi të fundit të Universitetit të Alabamas, që ka përfshirë 5000 tymues bari, thuhet se ata që pinë marijuanë kanë mushkëri më të mira sesa ata të cilët nuk e pinë atë. Ndërkaq, sipas një dokumenti të 2005-s, pirja e marijuanës ndihmon në parandalimin e kancerit të mushkërive, sepse ajo nuk përmban nikotinë, por kanabinoide dhe THC.

4. Qeveria indiane, më 1894-n, ka deklaruar se marijuana është

e padëmshme! Në Kinën antike, kanabisi u përdor sidomos si ilaç, ndërsa në Indi si një substancë çfarëdo: pihej në ceremonitë fetare dhe nga njerëzit e thjeshtë për t’u qetësuar. Por ndonjëherë, marijuana përdorej edhe si një pije, e cila quhej Bhang e që përfitohej nga zierja e saj me arra dhe qumësht. Nga një raport indian me titull “The Indian Hemp Drugs”, më 1894-n, është mësuar një konkluzion mjaft i rëndësishëm: përdorimi i marijuanës është i padëmshëm dhe ndalimi i saj do të sillte një dëm për të gjithë.

3. 14,4 milionë amerikanë pinë rregullisht marijuanë. Sipas një raporti të hartuar nga qeveria në 2007-n, rreth 14.4 milionë amerikanë pinë rregullisht marijuanë! Ndërkohë, vitin e shkuar një analizë ka demonstruar se marijuana është kultura që sjell shumë para në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, plotë 35,8 miliardë dollarë, një shifër që u konstatua më pas nga miliarderë të ndryshëm. Megjithëkëtë, fakti qëndron se amerikanët çmenden për marijuanën: 42 për qind e tyre e kanë tymosur atë të paktën një herë të vetme, përfshirë edhe Presidentin Obama!

2. Cila është etimologjia e fjalës “marijuanë”?

Askush në të vërtetë nuk e di me saktësi se si ka lindur emri marijuanë. Sipas folklorit, bëhet fjalë për bashkimin e emrave Maria dhe Juana, ndërkohë sipas një teorie tjetër ajo vjen nga fjala maraguanquo, e cila do të thotë bimë dehëse. Më 1873-shin, ajo u shfaq në variantin që të gjithë ne e njohim: kanabis. Më pas, me kalimin e kohës, duke u nisur nga vitet 1930-’40, asaj iu shtuan shumë pseudonime të tjera, si bar, drogë, miell i bardhë etj.

1. Përdorimi i marijuanës mund të shpëtojë planetin tonë. A e dinit se marijuana mund të shpëtojë planetin tonë? Ashtu siç raportohet nga një studimi i Universitetit të McGill, një hektar kërp mund të prodhojë të njëjtën sasi fibrash bruto sa katër hektarë pemë. Ndërkohë, 11 deri në 31 milionë hektarë kërp industrial mund të plotësojnë nevojat e naftës në të gjithë planetin tonë! Në ndryshim me duhanin, i cili e shkatërron cilësinë e tokës pasi vilet, bima e kanabisit e bën atë më pjellore. Legalizimi i marijuanës do të hapte qindra dhe mijëra vende pune, do të ndihmonte në luftën kundër urisë botërore, ndërsa personave të sëmurë me AIDS, kancer, si dhe me sëmundje të tjera si skleroza, do t’u sillte shëndet të dëshiruar.