Që prej 7 Dhjetorit 1987, Asambleja e
Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e vendosi 26 Qershorin si Ditën
Ndërkombëtare Kundër Abuzimit dhe Trafikimit të Drogave si shprehje e
angazhimit për të forcuar veprimin dhe bashkëpunimin me qëllimin për të
shkuar drejt një shoqërie pa drogë.
Droga, pavarësisht përpjekjeve të
vazhdueshme nga bashkësia ndërkombëtare vazhdon të jetë një problem i
madh për shëndetin publik, sigurinë dhe mirëqenien e njerëzimit.
Ashtu si në të gjithë botën, dhe në Shqiperi përdorimi i substancave
abuzive, përfshirë ato legale dhe jo legale është në rritje vitet e
fundit, kjo për shumë arsye. Ndër grupet më të prekura janë adoleshentët
dhe të rinjtë. Vitet e fundit ka një rritje të përdorimit të këtyre
substancave nga femrat, sidomos përdorimi i marijuanes. Ndërsa për
drogat e tjera më të forta, si heroinë, kokainë, ekstazia , etj,
predominon ndjeshëm numri i meshkujve.
Referuar të dhënave të fundit të raportit te EMCDA për vitin 2010, numri
i personave që janë apo kanë përdorur substanca ilegale, varion nga
40.000 – 60.000 persona, nga ku mendohet se rreth 10-15% e tyre janë
përdorues të drogave intravenoze, kryesisht heroinë dhe kokainë. Shihet
se ka një rritje të ndjeshme të tyre këto vitet e fundit.
Numri i përgjithshëm i të rriturve (15-64 vjeç) të cilët kanë provuar
lloje të drogave të paligjshme është vlerësuar të jetë rreth 5 000 në
1995 dhe 20 000 më 1998. Shihet një rritje të konsiderueshme që prej
1995.
Në një studim realizuar nga Instituti i Shëndetit Publik më 2009,
fokusohet në popullatën e shkollave të mesme dhe ka një masë kampioni
rreth 3 878 pjesëmarrës. Variabli i SSRrR mbi prevalencën jetësore të
përdorimit të drogës përputhet me përkufizimin e rastit sipas EMCDDA.
Studimi tregoi se 7,4 % e personave të moshës 15-18 vjeç kanë
eksperimentuar kanabis, 4,2 % me ekstazi, 1,2 % me heroinë, dhe 3,2 %
kishin përdorur kokainë.
Fenomeni i abuzimit me drogat në Shqipëri është më shumë një problem
urban se sa rural ku numrin më të madh të personave të prekur nga
përdorimi e kanë qytetet e mëdha. Nga drogat e përdorura prevelancën më
të madhe e ka kanabisi me derivatet e tij (marijuana dhe hashish), në
vend të dytë vjen përdorimi i heroinës dhe në vend të tretë kokaina.
Shifrat lidhur me numrin e përdoruesve në Shqipëri janë kontradiktore.
Strategjia Kombëtare kundër Drogës 2012–2016
Strategjia është gjithëpërfshirëse dhe mbulon njëkohësisht reduktimin e
kërkesës për drogë dhe reduktimin e furnizimit me drogë. Kjo ishte
produkt i pjesëmarrjes së të gjithë institucioneve qeveritare të
përfshira në luftën kundër drogës, si dhe organizatave jo-qeveritare,
dhe me një mbështetje të madhe nga ekspertët e organizatave
ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri.
Strategjia njeh natyrën serioze të problemit të drogës në nivel kombëtar
dhe ndërkombëtar dhe pranon se suksesi mund të arrihet vetëm me
bashkëpunimin dhe bashkërendimin e përpjekjeve të të gjitha palëve
vepruese, konkretisht të qeverisë, shoqërisë civile dhe partnerëve
ndërkombëtarë.
Parandalimi
Rëndësia e parandalimit të drogës në Shqipëri është pasqyruar në
miratimin e Strategjisë Kombëtare kundër Drogave. Në aktivitetet
parandaluese janë përfshirë nxënës, studentë, mësues, staf mjekësor,etj.
Trajtimi
Strategjia përfshin objektiva dhe masa të orientuara drejt reduktimit të
kërkesës për drogë dhe kontrollit të ofertës njëkohësisht.
Sipas Strategjisë Kombëtare Kundër Drogës 2012–2016 (konkretisht
komponenti i saj për reduktimin e kërkesës për drogë në shkallë vendi):
(a) programet e trajtimit me metadon (zëvendësimi afat-gjatë) duhet të
mbulohen nga qendra të specializuara; (b) lëshimi i recetave mjekësore
në periudhën e parë nuk duhet të shtrihet deri tek mjekët e familjes;
(c) duhet të zbatohet një kërkesë rigoroze për trajnim të specializuar
për mjekët që lëshojnë recetën; dhe (d) trajtimi me metadon ka nevojë
për një metodologji të veçantë dhe jo legjislacion të veçantë.
Rrjedhimisht, politika aktuale e trajtimit me metadon në Shqipëri duhet
të përpiqet të ndjekë këto udhëzime.
Ekziston vetëm një qendër publike e
specializuar në trajtimin e drogës në Shqipëri, Shërbimi i
Toksikologjisë Klinike në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’
në Tiranë (QSUT). Kjo është një qendër publike, përgjegjëse për të
gjithë vendin, dhe merret kryesisht me trajtimin e detoksifikimit dhe të
mbidozës. Ajo shërben njëkohësisht si njësi spitalore për shtrimin e
pacientëve dhe si njësi shërbimi për pacientët ditorë, dhe është burimi
kryesor i të dhënave për kërkesat për trajtim.
Përgjigjet ndaj reduktimit të dëmit janë të fokusuara në shkëmbimin e
ageve/shiringave, edukimin e bashkë-moshatarëve, informim dhe këshillim,
mbështetje mjekësore bazë dhe mbështetje psikosociale.
Në Shqipëri nuk ka të dhëna të besueshme mbi numrin e vdekjeve nga droga
(drug-related deaths – DRDs). Informacioni zyrtar për vdekjet nga droga
është i dobët, madje virtualisht jo-ekzistues për disa arsye: (a)
legjislacioni dhe çështjet rregullatore nuk pasqyrojnë situatën aktuale
në vend, dhe kërkesat nuk janë të rrepta; (b) ka ende mungesë të
vetëdijes (ndërgjegjësimit) ndërmjet stafit mjekësor për vdekjet e
lidhura me drogën, dhe, si pasojë, një vdekje e shkaktuar nga mbidoza e
drogës diagnostikohet në rutinë si atak/pushim zemre; (c) ka ende
mungesë bashkëpunimi dhe bashkërendimi ndërmjet agjencive përkatëse dhe
ndër-shkëmbimi i të dhënave është i pakët; (d) megjithëse Laboratori
Toksikologjik i Institutit të Mjekësisë Ligjore është plotësisht i aftë
të kryejë konfirmimin e vdekjeve që kanë lidhje me drogën, ka mungesë
informacioni për ekzistencën e një agjencie të tillë të kualifikuar; (e)
për më tepër, analizat lëngjeve të trupave nga vdekjet toksikologjike
jane shumë të rralla, për arsye ende të theksuar të stigmës lidhur me
dukurinë (fenomenin) e drogës, për çka, Instituti i Mjekësisë Ligjore
nuk është i autorizuar të kryejë autopsinë nëse nuk i kërkohet (nga
familjarët e viktimës).