Dëmet e pakthyeshme të hashashit
Studimet e reja që “kryqëzojnë” narkotikun e lehtë, më të
përhapurin në botë. Të rinjtë nga mosha 15-19 vjeç, gjithnjë e më shumë
kanë provuar kanabis vitet e fundit. Dëmet në tru të atij që e konsumon
këtë drogë, shfaqen edhe dhjetë vite më pas.
Tymosja e kanabisit gjatë adoleshencës mund të paracaktojë shqetësimet
mendore në një fazë më të vonë të rritjes. Kjo e dhënë del nga studimet
më të fundit, që përforcojnë atë çka dihej tashmë mbi pasojat e konsumit
të kësaj droge, përtej efekteve të menjëhershme të saj, siç janë
përgjumja apo mungesa e përqendrimit, sidomos në timon. Deri pak kohë më
parë, mendohej se pasojat e kësaj droge merrnin fund këtu, pasi u
konstatua se organizmi i njeriut nuk lodhet aspak për ta eliminuar
substancën. Por në fakt kërkimet e fundit të neurobiologjisë treguan se
pasi keni përdorur një herë kanabis, truri ruan për vite të tërë gjurmë
të drogës.
Hashashi në fakt shkakton një dëmtim të
përhershëm, sepse ndikon në zhvillimin e lidhjeve nervore që ndodhin
gjatë adoleshencës, duke favorizuar çrregullimet mendore si depresioni
dhe skizofrenia, që kompromentojnë direkt inteligjencën.
Zbulimet
e reja janë shqetësuese, sepse në të gjithë Evropën, konsumatorët
kryesorë janë pikërisht adoleshentët. Të dhënat e raportit të fundit të
ESPAD (Monitorimi mbi përdorimin e drogave dhe alkoolit në shkollë) në
Itali, flasin qartë se 22 për qind e të rinjve në moshën 15-19 vjeç (pra
gati 1 në 4 të rinj), ka provuar të paktën një herë kanabisin vitin e
fundit. Vlera më të larta përllogariten në zona si Lombardia, Liguria
dhe në rajonet e Qendrës së Italisë, nga kur rezulton se meshkujt e
konsumojnë më shumë këtë drogë se femrat. Konsumin e kanabisit e
favorizojnë më shumë edhe disa stereotipe të saj, të njohura për
aftësitë qetësuese, të lehta, me pak më shumë efekte se alkooli dhe që
nuk krijojnë varësi.
Provat
Kurrë si
sot, të dhënat mbi rolin e kësaj substance mbi çrregullimet mendore nuk
kanë qenë kaq të forta. Studimet po shtohen, sidomos mbi raportin mes
drogës dhe skizofrenisë. Kjo psikozë, e karakterizuar nga një çorganizim
i mendimit dhe sjelljes, përveç aluçinacioneve është konstatuar në 1.1
për qind të popullsisë. Ashtu si edhe për shumë patologji të tjera
psikike, nuk njihet origjina, por konsiderohet se vjen nga një grup
faktorësh, pasi shkaktohet si nga ana gjenetike edhe ajo ambientale
(histori familjare, raporte sociale).
Në vitet tetëdhjetë,
hashashi është etiketuar si shkak i mundshëm për skizofreninë. Por në
vitet e mëvonshme, nuk është gjetur asnjë lidhje e sigurt mbi efektet që
ajo të mund të shkaktojë apo për lidhje me ndonjë sëmundje të rëndë. Në
këto kushte, dy përfundime janë të mundshme: Ose kanabisi favorizon
skizofreninë, ose personat që vuajnë nga kjo sëmundje e konsumojnë më
shpesh. “Shumë të rinj, mendojnë se e mbajnë ankthin nën kontroll duke
përdorur kanabis. Ndërsa për shumë kohë është lakuar shpesh teza se
përdorimi i kanabisit ka si pasojë një sëmundje të rëndë”, shpjegon Jean
Philippe Gueuen, psikiatër i specializuar për adoleshentët dhe të
rinjtë. Megjithatë, sot nga shumë hetime e studime epidemiologjike mbi
të rinj është parë se ata nuk kanë psikoza skizofrenie para se të nisin
të përdorin kanabis. Risku për të pasur psikoza të tilla, është rritur
me përdorimin e kësaj droge.
Shpejt dhe keq
Nga
ana tjetër, një studim i vitit 2011 i realizuar nga Universiteti i
Maastricht (Vendet e Ulëta), nxjerr në pah një risk të dyfishtë për
sëmundjet mendore tek të rinjtë që kishin pirë kanabis të paktën pesë
herë në vitet e fundit. I njëjti hetim ka konfirmuar gjithashtu një
faktor thelbësor: Sa më shumë konsumoni kanabis, aq më shumë rritet
risku për skizofreni. Në vitin 2008, Instituti i Higjienës Mendore në
Hollandë ka shtuar se në rast të shkëputjes nga droga në moshë të
rritur, risku për sëmundjet mendore mbetet i njëjtë. Megjithatë, bazuar
në literaturën shkencore të publikuar nga disa kërkues në Universitetet e
Bristolit dhe Cambridge-it, kanë përllogaritur një rritje prej 40% të
rrezikut të sëmundjeve mendore tek adoleshentët që konsumojnë kanabis në
mënyrë të rregullt. Përqindja është akoma më e lartë tek ato persona që
kanë edhe një lidhje gjenetike me këtë sëmundje.
Skizofrenia
nuk është i vetmi rrezik. Shqetësuese është edhe sëmundja e
depresionit. Të paktën kështu rezulton nga kërkimet dhe studimet e bëra
së fundmi për pasojat e drogës së kanabisit tek përdoruesit. Kjo
sëmundje prek 3% të popullsisë botërore. Në vitin 2012, për shembull,
një studim i Universitetit të Michiganit, në Shtetet e Bashkuara të
Amerikës ka evidentuar një rritje të rrezikut për të pasur depresion nga
60 në 90 për qind për konsumatorët e kanabisit. Ndërsa një hetim në
Karolinska Institut të Stokholmit, (Suedi), ka nxjerrë se nuk ka asnjë
rritje të riskut për depresion tek konsumatorët e kanabisit.
Si shpjegohen këto rezultate të ndryshme?
Sipas
Tiziana Rubinos, e specializuar në fushën e kërkimit në Universitetin e
Insubria, këto mospërputhje në rezultatet e studimeve, vijnë nga fakti
se studimet nuk bazohen në të njëjtat tipologji të atyre personave që
përdorin kanabis. “Do të duhej që të përqendroheshim tek ata konsumatorë
që përdorin më shumë se një herë në ditë kanabis. Mes tyre risku është
më real. Por duhen bërë edhe krahasime mes konsumatorëve, pasi dy
konsumatorë të njëjtë mund të kenë pasoja jo domosdoshmërisht të
ngjashme. Për shembull, duket se femrat janë më të ndjeshme ndaj
efekteve të kanabisit tek depresioni. Ndërsa burrat kanë më shumë rrezik
tek psikozat, skizofrenia.
Inteligjenca bëhet tym
Ekziston
në fakt, edhe një e keqe më e madhe që duket se konsumon pak nga pak
trurin e atyre që përdorin kanabis. Efekti është i avashtë por ndikon në
inteligjencë. Po bëhen gati 10 vite që analizat tregojnë pasojat që
përdorimi i hashashit lë tek konsumatorët në aftësitë e tyre për të
logjikuar, mbajtur mend etj., edhe pse janë testuar ditë më vonë pas
konsumit të drogës. Një kontribut i rëndësishëm në kërkimet mbi efektet e
vonshme që vijnë nga përdorimi i kanabisit, erdhi në vitin 2012, kur
një grup kërkuesish të Universitetit Duke në SHBA publikoi një studim
për këtë çështje. Pasi ndoqën rreth 1000 raste, në moshën nga 1-38 vjeç,
rezultatet treguan se mes adoleshencës dhe moshës së rritur, personat
që konsumojnë kanabis, pësojnë një ulje të inteligjencës në nivelin 8
për qind. Ndërkohë që ata që nuk konsumojnë, pësojnë një rritje të
lehtë. I njëjti rezultat shihet edhe tek personat që kanë hequr dorë
prej më shumë se një viti nga konsumi i drogës, por sërish niveli i tyre
i inteligjencës ulet. Shifrat rriten për atë kategori personash që kanë
nisur të konsumojnë kanabis para moshës 18 vjeç.
Kurthi i THC-së
Pra,
përdorimi i kanabisit mund të sjellë skizofreni, depresion, ulje e
nivelit të inteligjencës. Si shpjegohen këto efekte që shfaqen tek
personat edhe kur kanë vite që kanë hequr dorë nga droga kanabis?
Përgjigjja përfundimtare është ende larg sepse mekanizmat celebralë që
ndodhen në qendër të këtyre sëmundjeve kanë ende shumë anë të errëta, të
pazbuluara. Megjithatë, një shpjegim disi është dhënë. “Kanabisi pengon
zhvillimin normal të lidhjeve nervore që marrin hov gjatë
adoleshencës”, thotë Daniela Parolaro, specialiste farmakologe në
Universitetin e Insubrias.
Fenomeni, i cili është thelbësor
në zhvillimin e trurit në adoleshencë, përfshin një tip të veçantë
lidhësish nervorë, endokanabinoidët. Nga zbulimet e vitit 1990, rezulton
se këto molekula, rregullojnë impulset nervore që vijnë nga neuronet.
Molekula aktive e kanabisit, THC (delta 9 tetrahidrokanabidol), ngjan
shumë me molekulat që rregullojnë impulset nervore. Kjo i lejon asaj që
të lidhet me to duke penguar kështu veprimet natyrore që duhet të
ndodhin në tru nga përçuesit nervorë. Në këtë mënyrë, kanabis stimulon
lëshimin e dopaminës, molekulës cerebrale të lidhur me ndjenjën e qejfit
dhe të lumturisë.
Çekuilibrim trunor
Studime
të tjera flasin për ndryshimet strukturore në trurin e konsumatorëve të
kanabis dhe atyre që nuk e konsumojnë këtë drogë. Në një publikim të
bërë në vitin 2005 të ekipit të Karen Bolla të John Hopkins University
në SHBA, janë vënë re disa ndryshime të densitetit të lëndës së bardhë
(ajo pjesë e trurit që përmban më shumë lidhje nervore) dhe pjesës gri.
Eksperimente
të tjera të bëra tek kafshët, kanë nxjerrë në dritë anomali të shumta
në tru, gjatë përdorimit të kanabisit. Në veçanti, shpjegon Tiziana
Rubino “vihet re një çekuilibrim i ngjashëm me personat që kanë
skizofreni”. Megjithatë, ajo shprehet optimiste. “Këto efekte zgjasin në
kohë, por nuk besoj se janë të pakthyeshëm. Kur ndalohet përdorimi i
kanabisit dhe ndiqet një regjim i mirë rikuperimi, truri ka aftësi të
riparojë dëmet e shkaktuara”, shprehet Rubino. Po kështu, edhe
neurosociologu Raymond Niesink, shprehet se disa pjesë të trurit arrijnë
të kompensojnë pjesën e dëmtuar. Në këto kushte, duhet të presim vitet
që vijnë për të pasur ndonjë zhvillim, studim apo kërkim të ri për
sëmundjet e skizofrenisë apo depresionit tek të rinjtë që konsumojnë
kanabis. Ndërkohë, numri i të prekurve nuk duket se rritet në krahasim
me numrin e të rinjve që përdorin këtë drogë. Por në çdo rast, rrethi
shtrëngohet e në pritje të përgjigjeve përfundimtare, momentalisht janë
miliona adoleshentë në botë që e ekspozojnë trurin ndaj dëmeve të shumta
që shkakton kanabis.