Jo Droges Blog

Monday, March 14, 2011

Narkomania problem serioz për shoqërinë kosovare



Pa dyshim se çdo shtet i ri që është në periudhën e tranzicionit, ballafaqohet me shumë sfida dhe probleme duke u nisur nga problemi i varfërisë e deri tek problemet tjera shoqërore. Andaj, edhe Kosova si shtet i ri, po ballafaqohet me shumë sfida, probleme e në veçanti këtu duhet përmendur problemin e narkomanisë i cili problem tani ka marrë një kthesë tjetër dhe si i tillë paraqet një kancer për vetë shoqërinë.

Shoqëria kosovare krahas shumë problemeve tjera po përballet me një devijantizëm të vetë rinisë e cila si duket e ka zgjedhur një integrim social në një formë tjetër, dhe një akomodim drejt kësaj rruge. Përdorimi i narkomanisë tani më është hipershpejtuar me një shpejtësi, sa që akoma nuk mund të kemi shifra të sakta, ku varësisht nga konteksti shoqëror ato mund të jenë të ndryshme.

Zhvillimi i jetës moderne ka mundësuar individit një liri më të madhe se sa më herët, por në anën tjetër kjo liri ka bërë që njeriu të mbyllët në vetën e tij, madje në atë që Erick From theksonte “se pikërisht kapitalizmi i ka kontribuar shumë rritjes së lirive individuale, por njëkohësisht njerëzit i ka bërë më të izoluar…“. Në këtë drejtim keqkuptimi i konceptit të lirisë, pluralizmit e të tjera, ka bërë që edhe koncepti i familjes tradiconale të ndryshon, pastaj edhe raporti në mes të prindërve dhe fëmijëve të jetë i zbehur.

Mund të themi se tek familja kosovare ka filluar të bie edhe ai “solidariteti social” që ishte dikur dhe të zëvendësohet me një individualizëm tejet të lartë. Me zhvillimin e modernizmit dhe ardhjen e mikro-kulturave si dhe ballafaqimin me sub-kultura të ndryshme, pastaj migrimet fshat-qytet, ndryshimet sociale si dhe shumë elemente tjera ka bërë që edhe vetë individi të jetë konfuz lidhur me identitetin e tij. Andaj, në këtë drejtim nuk kanë munguar edhe sjelljet devijante të shumta, e në veçanti përdorimi i drogës si një dukuri negative shoqërore.

Narkomania është bërë problem i madh i shoqërisë kosovare, edhe pse daton qysh herët kjo dukuri, pas luftës është bërë një çështje që meriton një analizë të thellë edhe pse pothuajse nuk po i preokupon aq organet përgjegjëse. Hulumtimet që çdo herë e më shumë po zhvillohen, tregojnë të dhëna të shumta rreth përdorimit të drogës në Kosovë e sidomos nga të rinjtë. Shtrohet pyetja? Çfarë kanë bërë institucionet tona për parandalimin e këtij fenomeni? Sa kanë krijuar politika për sensibilizimin e vetë të rinjëve kosovar lidhur me këtë dukuri. Pasi që të rinjtë janë ata që më së shumti konsumojnë këtë dukuri negative.

Dihet se deri më tani, përveç disa konferencave për shtyp nuk ka ndonjë iniciativë e cila do të vlente të përmendet. Vlen të theksohet se përdoruesit më të mëdhenj janë të rinjtë, e sidomos adoleshentët, por një pjesë e tyre i takon gjinisë femërore që në të vërtet paraqet një kancer për shoqërinë kosovare. Po të referohemi vetëm një vëzhgimi të thjesht në terren, shohim se një pjesë e lagjeve të kryeqytetit ka grupe të të rinjve të cilët grupohen dhe argëtohen me narkotikë, sa që shpesh tek qytetarët mund të krijohet edhe një lloj pasigurie, sepse në disa raste nga përdorimi i drogës munden shumë lehtë që gjërat të dalin nga kontrolli, dhe të marrin forma tjera.

Si pasojë e afektit, mund të vihet në pikëpyetje edhe vetë jeta e qytetarëve nga grupe të ndryshme, sa që shpesh mund të thuhet sikur ngjasojnë me kuartet e lagjeve të varfra të zezakëve në Amerikë. Prandaj, pavarësisht nga grupe dhe mosha të ndryshme që janë të përfshira në këtë dukuri negative të shoqërisë, ato mund të jenë të shumta andaj, ne kemi identifikuar katër grupe prej tyre:

• Grupi i parë është shumë këmbëngulës me faktin që nuk e pranon drogën si element pozitivë në shoqëri, aty bëjnë pjesë: biznesmen të ndryshëm, një pjesë e stafit të organizatave joqeveritare që zakonisht e kanë rutinë narkomanin qoftë ajo mariuhanë po diçka tjetër, një pjesë e këngëtarëve (personave V.I.P) etj. Ky grup zakonisht prapa skenave në kuptimin metaforik përdor narkotikë si shkak i disponimit, argëtimit, shmangies së problemeve etj.

• Grupi i dytë përbën të ashtuquajturin grupi ,,Happy’’ e që karakterizohet me ahengjet e ndryshme, në gazmende, pube, clube të natës etj, ku bëjnë pjesë zakonisht mosha nga 18 – 35 vjet. Ata nisën nga fakti që nuk janë përdorues të rregullt të drogës por, vetëm si kalimtarë të rastit në këto manifestime, dhe përdorin narkotik vetëm sa për argëtim.

• Grupi i tretë është grupi i ,,Vdekjes,, në atë kuptim që ata janë përdoruesit e rregullt të drogave të ndryshme, bëjnë biznes me to, si dhe stimulojnë të tjerët për të përdorur më shumë narkotik. Është grup i vdekjes sepse ata kanë zgjedhur këtë rrugë dhe rregullisht e përdorin drogën, andaj edhe jetëgjatësia e tyre është shumë e shkurtër.

• Dhe në fund kemi grupin e katërt, ku bëjnë pjesë dilerët e ndryshëm, apo bossat që quhen ndryshe edhe ,,Jaka e Bardhë”, të cilët kanë organizatën e tyre, kanë njerëzit që merren me këto punë dhe ata qëndrojnë larg këtyre punëve, kinse nuk kemi asgjë me këtë dukuri.
Shkaqet e përdorimit të drogës në shoqërinë kosovare
Nga shkaqet që mund të shtyjnë drejt këtij problemi janë të shumtë dhe këtu duhet atribuuar faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm. Prandaj, në këtë drejtim mund të veçojmë disa nga faktorët si: dobësimi i rolit të familjes dhe zbehja e raporteve në mes të prindërve dhe fëmijëve, mungesa e një kontakti pragmatik prind-fëmijë (mos vëmendja e prindërve ndaj fëmijëve), mungesa e programeve adekuate nëpër shkolla lidhur më këtë dukuri, roli mediave nacionale dhe nevoja për më shumë programe lidhur më këtë fenomen, infrastruktura e dobët, pastaj shkaqet ekonomike – sociale, papunësia, varfëria si dhe shumë faktorë tjerë që padyshim se nuk do të mjaftonin t’i përmendim në një shkrim të tillë të shkurtër...
Si mund të parandalojmë këtë dukuri?
Në bazë të kësaj analize që thurëm deri më tani, është e nevojshme që të paktën të paraqesim një rekomandim lidhur më këtë dukuri negative e cila përbën një kancer për vetë shoqërinë.

Andaj, në këtë drejtim duhet që së pari roli i prindit të jetë më praktik dhe të zhvillojë komunikime, biseda më shumë me fëmijën e tij, në mënyrë që të kemi një pragmatizëm komunikativ drejt sensibilizimit të vetë fëmijës për këtë dukuri më herët se sa kur të hynë në lojë. Pastaj sensibilizimi i vetë opinionit të gjerë lidhur me këtë dukuri negative, hartimi i projekteve konkrete nga organet përgjegjëse, në mënyrë që të rinjve t’u mundësohen kushte më të mira për zhvillimin e aktiviteteve, në mënyrë që të shmangen kësaj dukurie.

Media të ketë një rol më konstruktiv, pragmatik dhe të krijojë programe më shumë për këtë dukuri. OJQ-të e ndryshme që janë në Kosovë të merren më seriozisht me luftimin e kësaj dukurie negative, të krijohen aktivitete më shumë për rininë. Shkollat të luajnë rolin e tyre në edukimin dhe sensibilizimin e nxënësve etj.

Këto ishin vetëm disa nga format e parandalimit të kësaj dukurie, sepse në dioptrinë analitike normalisht që ka edhe forma tjera, që mund të jenë shumë praktike dhe pragmatike, mirëpo një prej elementeve që duhet bërë rreth parandalimit të këtij fenomeni është padyshim sensibilizimi i vetë opinionit të gjerë.

No comments:

Post a Comment