Jo Droges Blog

Thursday, December 16, 2010

Ç’janë në të vërtet drogat? Cilat janë rrugët e marrjes së drogave? Cilat janë komplikimet? Si bëhet diagnostikimi tek konsumuesit e drogës? Parandalimi.



Përdorimi më i vjetër i drogës mendohet të jetë rreth 5000 vjet para epokës sonë. Sumerët popullatë e vjetër që atë kohë jetonin në Mesopotami rreth gjirit Persik përdornin opiumin për të arritur efektin “hul” që do të thotë kënaqësi, ndërsa në Greqinë antike përdorej lëngu i opiumit. Rreth vitit 1000 të epokës sonë opiumi përdorej gjithashtu në Kinë dhe Orient.

Ç’janë në të vërtet drogat?

Me droga kuptojmë kryesisht ato lëndë që me sasi të disa miligramëve çrregullojnë dhe destabilizojnë funksionet mendore, zvogëlojnë vigjilencën, çojnë në rritjen progresive të dozave dhe japin varësi pas një përdorimi disa ditësh ose javësh. Drogat që japin varësi quhen droga toxikomanogjene.

Cilat janë rrugët e marrjes së drogave?
Drogat merren me rrugë të ndryshme, si:
* me inhalim (thithje me anë të frymëmarrjes) (lëndë avulluese, eteri)
* me tymosje (duhani,hashashi, opiumi)
* me nuhatje (heroina, kokaina)
* duke i pirë (alkooli etj)
* të përziera :

1. me letër thithse (acide)
2. në formë kulaqi (hashash)
3. në formë tabletare (amfetaminat, barbiturikët, ekstazi etj)

* me rrugë rektale (supozitorët e ndryshëm opioid)
* me injeksione:

1. nënlëkurore (kokainë)
2. intravenoze (heroinë, kokainë, morfinë, amfetamina, barbiturikë)

Cila prej rrugëve të marrjes së drogave është më e kërkuara nga toksikomanët?

Rruga intravenoze është më e kërkuara sepse jep efektin shtesë “flashin”. Produkti në kontakt të drejtpërdrejtë me gjakun jep një gjendje kënaqësie, dëshire me karaker shpërthyes ose me orgazëm që zgjat disa sekonda, duke vazhduar pastaj me përshtypjen se toksikomani ndodhet në një botë pa brenga. Nga ana e libidos është e pranishme një kënaqësi autoerotike jashtëzakonisht primitive.

OPIOIDET

Me opioide kuptojmë opiumin dhe derivatet e tij. Opioidet klasifikohen në opioide natyrore dhe derivate sintetike.

Opoidet natyrore: Opium, Teintyra e opiumit, Morfinë, Kodeinë.

Derivatet sintetike:

* a. Morfina me derivatet e të njëjtës familje: Morfinë, Heroinë, Hidromorfonë, Oksimorfonë.
* b. Meperidina me derivatet e të njëjtës familje: Petidinë, Fentanyl, Loperamidi.
* c. Metadona dhe derivatet e të njëjtës familje: Metadonë, LAAM (L – acetilmetadol), Dekstropropoksifeni.
* d. Derivatet e tjera: Nalokson, Naltrekson, Pentazocinë, Buprenorfinë.

Helmimi akut dhe ai kronik. Helmimi akut - vjen pas marrjes së drogës dhe manifestohet me simptoma të euforisë dhe deficit neuropsikologjik. Klinikisht paraqitet me shenjat: ankth, frikë, deprimim, cianozë, frymëmarrje të thellë të ngadalësuar dhe të vështirërsuar. Çrregullim të vetëdijës, puls të çrregullt dhe të dobët, miozë. Nëse doza është më e lartë paraqiten konvulsionet dhe gjendja komatoze.
Helmimi kronik refelektohet me alterimet profonde të trurit si pasojë e ekspozimit të përsëritur nga droga, duke shkaktuar zvjerdhjen (sindromën e zvjerdhjes), eufori dhe dëmtime trupore e mendore.

Ç'është zvjerdhja ( sindroma e zvjerdhjes ose mangësisë)? Kjo sindromë karakterizohet me simptoma të detresit psikologjik dhe me shenja trupore që shkaktohen nga braktisja e dozës së zakonshme të një droge. Simptomat varën nga lloji i drogës që është përdorur. Këto simptoma mund të jenë:

1. të lehta dhe pak të shprehura klinikisht (kokainë, kanabis), ose
2. mjaft të shprehura (opioide), dhe
3. nganjëherë të rrezikshme edhe për jetën (barbiturikë, alkool)

Opiumi
Opiumi është një lëndë narkotike në formë të lëngut qumështor që nxirret nga prerja e kapsolës së një bime ende të papjekur të quajtur papaver somniferum. Njihet si qetësues i dhembjeve dhe mbi të gjitha, si qetësues i anksiozave akute dhe agjitacioneve anksioze.
Opiumi konsumohet në shumë mënyra. Më karakteristike është forma e tymosjes në llulla speciale. Janë të njohura dehja euforike dhe efekti stimulues që jep opiumi.

Morfina
Morfina është alkaloidi më i rëndësishëm i opiumit. Ka efekte analgjezike dhe është përdorur shumë në mjekësi. Deprimon funksionin e frymëmarrjes duke dhënë nauze dhe të vjella. Efekti i saj zgjat përafërsisht 6 orë.

Kodeina
Kodeina është eter metilik i morfinës. Eshtë më pak helmuse se morfina. Efekti i saj antalgjik është për 6-10 fish më i dobët se i morfinës. Në terapeutikë kodeina përdoret për të qetësuar kollën dhe dhembjen e dhëmbëve.

HEROINA

Heroina është një derivat gjysmësintetik i morfinës. Është më helmuese se morfina (5 fish) duke dhënë varësi të shpejtë. Një injeksion me heroinë jep efekt për tre orë dhe si pasojë shumë shpejt hyhet në ciklin kënaqësi / mungesë me një varësi të ndjeshme fizike dhe psikike.
Heroina gjendet në dy forma:

1. 1. Heroina e bardhë (kali), që asnjëhere nuk shitet e pastër, por e përzier me laktozë, aspirinë, bikarbonate, manitol etj.;
2. 2. Brown sugar, një varietet i ardhur nga Azia, që përmban 30% heroinë të shoqëruar me kafeinë.

Heroina është droga më e përdorur nga toksikomanët. Është shumë e shtrenjtë. Për të gjetur dozën e vetë, toksikomanët shumë shpejt futen në aktet delikuente (vjedhje, prostitucion, trafik…).

Cilat janë rrugët e marrjes së heroinës? Heroina merret më së shumti me rrugë intravenoze (shoot) që është më e përdorura, dhe duke e thithur me anë të frymëmarrjes me hundë (snif).

Efektet e heroinës. Injektimi intravenoz i heroinës jep efektin flash: një reaksion shpërthyes me instalim të shpejtë të ndjenjes së kënaqësisë, nxehtësisë dhe euforisë, që shoqërohet me ndryshime fiziologjike: ngrohje të lëkurës, kruarje, bradikardi, hypotension, hyperglicemi, miozë, somnolencë, pastaj fillon të instalohet faza e mirëqenies me ngadalësim psiko–motor, nga ky çast fillon largimi nga realiteti, që nga toksikomanët quhet “planet”.

Varësia nga heroina. Varësia nga heroina bëhet shumë shpejt, nganjëhere që me injeksionet e para, nganjëhere pas disa javësh. Në fillim helmimi përshkruhet si “muaji i mjaltit” ku dominon dëshira intelektule dhe fizike. Kjo dëshirë ndiqet nga një shpërthim i imagjinatës dhe fantazisë. Mirëpo pas një kohe këto efekte pushojnë, injeksioni nuk bëhet më për t’u përjetuar por nga se nuk mund të ndërpritet kjo gjendje. Për të mos e ndier mungesën e drogës injektimet shpeshtohen, dozat rriten. Fillojnë çrregullimet psikike, fizike, emocionale e sociale.

Ç'është gjendja e abstinencës (mangësisë) nga heroina? Mangësia, tabloja me e lartë e varësise psikike dhe fizike, vjen përafërsisht pas 6 deri 8 orësh pas ndaljes së intoksikimt, klinikisht shprehet me:

* * Gjendje shqetësimi, ankth me rinorrhe, midriazë, ethe, dridhje, gogësimë dhe djersitje të mëdha;
* * Dhembje të barkut dhe të anësive, të shoqëruar nganjëherë me diarre dhe të vjella. Mund të këtë gjendje konfuze, ndërsa çrregullimet e gjumit janë konstante.
* * Ndjenjë të të ftohtit në mbrendësi të ashtit dhe dhembje të artikulacioneve.

Simptomat janë më të theksuara 3-4 ditët e para dhe lehtësohen nga dita e 8-të ose e 10-të. Heroina dhe opioidet e tjera shkaktojnë varësi psikike dhe fizike.

Ç'është mbidozimi (overdoza)? Mbidozimi është është ajo gjendje e cila vie si pasojë e neglizhencës së përqendrimit të tepruar të heroinës nga toksikomani, ose gjatë periudhës së abstinencës, ose për të arritur flashin që nuk ndjehet më me dozatë e zakonshme.

Ç’është koma opioide? Koma nga opioidet është ajo gjendje që shkaktohet nga mbidozimi, dhe karakterizohet me; ngushtim të bebzave të syrit, depresion respirator. Paraqet rrezik edema pulmonare akute dhe kolapsi kardio–vaskular.
Individët në komë duhet transferuar në qendra të rianimacionit për të luftuar depresionin respirator dhe për të parandaluar kolapsin kardio–vaskular. Më këtë rast jepet naloksoni (Narcan), një antagonist i opiatëve, që përdoret kundër depresionit respirator.

Cilat janë komplikimet trupore të helmimit me heroinë (opioide)?

* * Helmimi akut: mbidozim, komë -> vdekje
* * Zvjerdhja: ankth, djersitje, dridhje, nauze dhe të vjella, gogësime, zgjerim i bebëzës së syrit, krampe, asteni.
* * Helmimi kronik: pneumopati bakteriale, endokardite, hepatite (B, C, etj), septicemitë, tetanos, flebitët, embolitë, SIDA, karies dentar (shumica e toksikomanëve nuk kanë dhëmbë në moshën 30 vjeçe), konstipacion, rënie në masë (peshë) etj.


Si bëhet diagnostikimi tek konsumuesit e drogës? Diagnostikimi i konsumuesve të drogës bëhet me anë të diagnostikimit klinik dhe biologjik.
Diagnostikimi klinik bazohet:

* • në deklarimin e vet pacientit për varësinë,
* • në një anamnezë të kujdesshme e cila shpie drejt zbulimit të toksikomanive.
* • në disa shenja klinike, si: shenjat e gjilpërave dhe trombozat e venave, sidomos, të parakrahut; shenjat e absceseve; fshehja e parakrahëve duke përdorur mëngë të gjata edhe në një periudhë vere të nxehtë.

Ndërsa tek pacientët që marrin drogën duke e thithur me anë të frymëmarrjes duhet t’u kushtohet një kujdes organeve të sipërme të frymëmarrjes. Ata janë pothujse gjithmonë me flamë dhe kanë frymëmarrje të vështirësuar.

Diagnostikimi biologjik:
Diagnostikimi biologjik bëhet çdo herë kur është e mundshme të konfirmohet diagnoza. Shumica e barnave që abuzohen mund të zbulohen në urinë, me përjashtim të kanabisit dhe LSD. Mostrat e urinës duhen ekzaminuar në intervalin midis dozës së barit të marrë së fundi dhe mbledhjes së mostrës së urinës.

Metadona
Si të gjitha opioidet e tjera dhe metadona ka efekte analgjezike dhe antitusive (kundër kollit). Edhe kjo ushtron varësi farmakologjike. Është pak euforizant. Për shkak se qëndron gjatë në organizëm (gjysmëjeta 24 orë) përdoret edhe për trajtimin zëvendësues tek heroinomanët.

LAAM – ORLAAM[color]
LAAM (levo- alfa-acetil-metadol) është një derivat i metadonës. Edhe ky si metadona, përdoret për trajtimin zëvendësues tek heroinomanët.

Buprenorfina - Subutex
Buprenorfina është një derivat gjysmësintetik i tebainës. Është agonist–antagonist i receptorëve opioidë me një kohëzgjatje veprimi në organizëm prej 24 orësh. Përdoret si trajtim zëvendësues në varësitë e mëdha nga opioidet tek adultët.

Naloksoni – Narcan
Është një antagonist specifik i opioideve që bllokon të gjithë receptorët opioidë. Është antidot i opioideve dhe efikas në depresionin respirator të shkaktuar nga opioidet.

Naltreksoni – nalorex
Naltreksoni është një derivat i N-metil–ciklopropilit, bënë pjesë në familjen e naloksonit. Ai është një antagonist i opioideve me një veprim të zgjatur dhe përdoret në trajtimin përfundimtar tek toksikomanët e motivuar.

PSIKOSTIMULUESIT E MËDHENJ

Në grupin psikostimuluesve të mëdhenj bëjnë pjesë:
1. Kokaina dhe
2. Amfetaminat

KOKAINA

Kokaina është alkalodi kryesor i bimës Eritroksilon koka. Është në formë të pluhurit të bardhë, shpesh e përzier me laktozë ose glukozë.Vjen zakonisht nga Amerika Jugore (Kolumbi, Bolivi, Peru). Në këto vende kjo kulturë është legale. Përdoret si bimë mjekuese dhe nga ana e vendësve përdoren fletët e saj për t’u përtypur.

Si merret kokaina? Kokaina më shumë inhalohet dhe shumë shpejt përthithet (absorbohet). Nganjëherë përdoret në mënyrë nënlëkurore dhe, kur shoqërohet me heroinën në mënyrë intravenoze nga toksikomanët kjo quhet “speed ball”.

Cilat janë efektet e kokainës? Kokaina provokon një gjendje euforike: individi që përdor kokainën ka ndjenjën se është i stimuluar intelektualisht dhe seksualisht, nuk ndien lodhje.

A jep varësi kokaina? Kokaina jep varësi psikike të hershme dhe pas disa përdorimeve provokon rritjen e dozave.

Cilat janë komplikimet? Duke e thithur me hundë kokaina ngacmon mukozën e hundës dhe krijon ulceracione. Ajo shkakton, gjithashtu, rrahje të shpejta të zemrës, hipertension, zgjerim të bebëzave të syrit, anoreksi, pagjumësi, vdekje të papritur.

Çka ndodh pas një përdorimi të gjatë të kokainës? Përdorimi kronik i kokainës shkakton pagjumësi, nervozizëm, zemërim dhe çrregullime kardiake të vazhdueshme. Në përgjithësi përdorimi i kokainës shkakton një rënie (degradim) shëndetësore:

* * nga ana psikike: çrregullime të kujtesës, apati, ankth, lëkundje të gjendjes shpirtërore, psikozë;
* * nga ana trupore: shtangime, dridhje, çrregullime kardiake, çrregullime të të parit, kequshqyeshmëri drejt kaheksisë.


Si bëhet trajtimi i kokainomanëve? Trajtimi i kokainomanëve bëhet sipas rastit, si tek:

* * Helmimi akut - epizodet e takikardisë dhe hipertensionit duhen trajtuar me antagonistë kalcikë përzgjedhës (nifedipinë, nimopidinë, diltiazem). Alfa dhe beta bllokatorët janë të kundërindikuar. Në raste të konvulsioneve, diazepami është një antikonvulsivant i zgjedhur.
* * Zvjerdhja - janë administruar shumë kompozante psikoaktive për të çhelmuar kokainomanët si: antidepresorët, antikonvulsivantët, trankilizantët etj. Rezultatet kanë qenë të paqarta. Sugjerohet përdorimi i antagonistëve të kalciumit që kanë efekt enëzgjerues në enët e gjakut të trurit.
* * Helmimi kronik - trajtimi ambulator i kokainomanëve, që veçanërisht tek adoleshentët e pamotivuar, bart një përqindje të lartë rreziku të rikthimit të tyre në ferrin e drogës.


AMFETAMINAT

Janë stimulues madhorë të sistemit nervor qendror, anoreksigjenë dhe largojnë gjumin. Në mjekësi ato janë përdorurur për efektet e tyre stimuluese, anoreksigjene dhe si dekongjestatorë hundorë. Në regjimet për dobësim amfetaminat janë dhënë (dhe jipen) për ndërprerjen e oreksit (si anoreksigjene).

Cilat janë rrugët e marrjes së amfetaminave? Amfetaminat merrën me anë të gojës dhe me rrugë intravenoze.

Cilat janë efektet e amfetaminave? Amfetaminat të vrasin (speed kills) ose të bëjnë të çmendësh. “Speed” (marrja intravenoze) jep efektin kryesor. Injeksionet intravenoze provokojnë flashin që shfaqet me një dhunë të skajshme, pastaj vendoset tabloja e ekscitimit maniak: me senzacione fizike dhe psikologjike të rritura, logore, eufori, hiperaktivitet motor e seksual, pagjumësi, mungesë oreksi.
Në rrafshin somatik: ka hipertension, takikardi, bronkodilatacion, midriazë.
Duke kërkuar flashin toksikomani injektohet disa herë brenda ditës.
Periudha e zbritjes është shumë e vështirë, me një farë forme të lodhjes (dërmimit) mendore, me ankth, frikë, paqëndrueshmëri emocionale, paraqitje paranoike të rrezikshme etj. Kjo periudhë është e rrezikshme për vetë individin dhe rrethin . Si rrjedhojë të delirit paranoid, ekziston rreziku i autoagresionit dhe heteroagresionit në raport me ndjenjat përsekutuese që janë të pranishme tek i helmuari gjatë kësaj faze.

Çfarë varësie japin amfetaminat? Varësia nga amfetaminat është psikike. Ndërprerja e marrjes së amfetaminave ka për pasojë: paqëndrueshmëri emocionale, asteni, mialgji, bulimi, hipersomni.
Toleranca është e hershme, humbet me ndërprerjen e helmimit.

Përdorimi terapeutik i amfetaminave. Amfetaminat përdoren në trajtimin e fëmijëve me çrregullime të vëmendjes dhe hiperkinezi (me doza 5 deri 10 mg të dekstroamfetaminës tre herë në ditë). Përdorimi i amfetaminave për 8 deri 10 javë si anoreksigjen mbetet legal por shumë konrtavers.

Si bëhet trajtimi i helmimit me amfetamina?

* a. Trajtimi i helmimit akut: Eliminimi i drogës shpejtohet me acidifikimin e urinës duke dhënë NH4Cl. Hipertensioni mund të trajtohet me antagonist të kalciumit (nimodipinë, nikardipinë, diltiazem), konvulsionet - me diazepam, hipertermia me të ftohtë.
* Psikoza nga amfetaminat trajtohet me haloperidol.
* Me eksperimente tek shtazët është vërejtur se shoqërimi i atropinës, diltiazemit dhe antagonistëve të kalciumit luan një rol antidot në dozat vdekjeprurëse të amfetaminave.
* b. Trajtimi i helmimit kronik: Përdoret teknika e modifikimit të sjelljeve. Kjo teknikë është më efikase kur pacienti është i shtruar në spital se sa gjatë mjekimit ambulator.

KANABISI

Kanabisi klasifikohet në drogat e buta. Derivatet e tij duhet klasifikuar në kategori speciale sepse njëkohësisht japin efekte psikostimuluese dhe efekte psikodepresive, ndërsa në doza të larta mund të provokojnë halucinacione. Kanabisi (kanabis sativa) është njëra nga bimët më të vjetra të kultivuara nga njeriu.
Janë të njohura tri nënprodukte të kanabisit:
1) Marihuana (Marie – Juana) që është përzierje e fletëve dhe lulës së kanabisit,
2) Hashashi - që prodhohet nga ekstrati i rrëshirës së kanabisit, dhe
3) Vaji i kanabisit.

Si merret kanabisi? Kanabisi merret duke e tymosur si cigare. Ai shpesh përzihet me duhan. Në disa vende përgatitet në formë kulaqi. Kanabisi zakonisht merret në grup, shumë senzacione varën nga vetë mjedisi i krijuar. Podukti nuk është realisht afrodiziak, por ushtron njëfare lirie dhe ekzagjerim të senzacioneve.
Një cigare mund të përmbajë prej 1 mg deri më 40 mg të lëndës aktive (THC).

Çfarë efektesh jep kanabisi? Efektet e shkaktuara nga kanabisi janë të ndryshme, duke filluar nga një eufori e lehtë deri në gjumë të rëndë. Halucinacionet janë të ralla, vetëm në raste konsumimi të tepruar. Efektet e kanabisit mund të jenë fizike dhe psikologjike:

* * Efektet fizike: në fillim mirëqënie, pastaj fenomene vazomotore, nauze, të vjella, si dhe një midriazë e tërthortë;
* * Efektet psikologjike: varën nga sasia e marrë e produktit, dhe janë zakonisht një eufori e lehtë me qeshje pa motivacion, ulje kapaciteti të kujtesës me një konstituim të ideve fikse. Efekti i kanabisit zgjat disa orë.


A është kanabisi i helmueshëm për organizmin? Kanabisi është i helmueshëm. Ekzistojnë dy forma të helmimit me kanabis:

* * Helmimi akut - është tepër i dobët, asnjëhere s’ka pasur vdekje nga mbidozimi, por ka pasur humbje të vetëdijes dhe komë te fëmijet nga 1 deri 4 vjeç. Helmimi akut nga kanabisi mjegullon përpunumin e informatave nga truri. Kapacitetet e pilotit gjatë pilotimit janë të dëmtuara edhe pas 24 orësh të marrjes së produktit. Gjithashtu janë vërejtur manifestime paranoike akute transitore, si dhe epizode akute të iluzioneve dhe halucinacione.
* * Helmimi kronik: Kanabisi është ngacmues për mushkëritë dhe jep simptoma të obstruksionit të rrugëve të frymëmarrjes. Gjithashtu zvogëlon aktivitetin bakterial të makrofagëve pulmonarë. Shkakton dhe shumë çrregullime psikike, mund të jetë si shkaktar i shpërthimit të krizave psikotike.

Zvjerdhja nga kanabisi. Simptomat e zvjerdhjes paraqiten pas ndaljes së konsumimit të kanabisit në doza të larta ditore, më të shpeshtat janë: çrregullime të gjumit, agjitacion , nauze, disfori.

Trajtimi. Epizodet psikike akute nga përdorimi i kanabisit trajtohen simptomatikisht me anë të benzodiazepinave. Haloperidoli është një bar i zgjedhur për trajtimin e epizodeve psikotike rezistuese. Fizostigmina (eserina) është e kundërindikuar. Nuk ka trajtim farmakologjik të varësisë me kanabis sikurse të drogat e tjera. Përdoruesit e kanabisit refuzojnë të njohin efektet negative të produktit, meqenëse ky nuk jep efekte fizike dytësore akute si opioidet, gjë që vështirëson trajtimin e tyre.

HALUCINOGJENËT

Halucinogjenët janë lëndë që japin çrregullime të përcepcionit, halucinacione dhe psikoza.

Si klasifikohen halucinogjenët? Halucinogjenët klasifikohen në dy grupe sipas asaj se kanë apo nuk kanë atom të azotit në kompozantën psikoaktive.

* * Grupi pa azot: Në këtë grup hyjnë lëndët që me doza të mëdha mund të japin halucinacine, megjithatë këto përdoren me doza të vogla për efektet e tyre euforizante dhe të kënaqësisë, p.sh. kanabisi.
* * Grupi me azot: Në këtë grup hyjnë lëndët e mirëfillta halucinogjene, si: Dietilamidi i acidit lisergjik (LSD), Fenilciklidina (PCP), Meskalina, Psilocibina.


Cilat janë efektet e halucinogjenëve? Pas marrjes së produktit efektet shfaqen brenda orës dhe zgjasin 10 deri 12 orë. Gjatë kësaj kohe individi ndien: * Modifikime fizike: ftohje, paqëndrueshmëri psikomotore, djersitje, midriazë;

* * Modifikime psikike: ndjenjë e frikës dhe ankth gjatë tërë udhëtimit imagjinar.

Pas një kohe fillojnë:

* * Buzëqeshje të pamotivuara,
* * halucinancione ose vizione me:

1. ndryshim të kohës që jeton (personi nuk mund të orientohet në kohë),
2. ndryshime në hapësirë (lëvizin muret, paraqiten imazhe të ndryshme etj.),
3. ndryshime ndijimore ( pamore dhe dëgjimore),
4. ndryshime të imazhit trupor ( i duket se është trashur ose dobësuar etj.),
5. ndryshime emocionale ( në kontekstin erotik),
6. ndryshime të të menduarit.


A japin varësi halucinogjenët? Halucinogjenët japin varësi psikike. Ndërprerja e marrjes së këtyre produkteve nuk jep sindromë të zvjerdhjes (mangësisë).

Helmimi me halucinogjenë. Halucinogjenët janë helmues të masës trunore dhe shkaktojnë:

1. zgjerim të bebëzës së syrit, çrregullime të të parit,
2. inkoherencë, deluzione,
3. skuqje, takikardi, temperaturë deri në komë.

Gjithashtu janë përshkruar ndryshime kromozomike në limfocite tek përdoruesit e LSD, si dhe anomali kongjenitale tek fëmijët e nënave përdoruese të LSD.

Përdorimi terapeutik i halucinogjenëve. Është menduar për ta futur LSD në psikoterapi si metodë subjektive për të përshpejtuar kthimin e pacientëve në të kaluarën, por kësaj metode i mungonte baza psikofarmakologjike gjë që provokonte çrregullime përsistuese të funksionit trunor.

Si bëhet trajtimi i helmimit me halucinogjenë? Reaksionet nga LSD rrallë vënë jetën në rrezik, por nëse LSD është përdorur e përzier me droga të tjera, atëherë pacienti duhet shtruar në reanimacion ose në kujdesin intensiv. Reaksionet psikotike në fazën akute duhen trajtuar me diazepam ose haloperidol.

TOKSIKOMANITË – SEKSUALITETI

Opioidet
Gjatë periudhës së konsumimit të opioideve (heroinës), përdoruesit kanë mundur t’i përshkruajnë këto efekte: ejakulim të vonuar me orgazëm cilësisht të zvogëluar, ulje të libidos, çrregullime të ereksionit. Vështirësitë në ejakulim shpjegohen me faktin se kontraktimet e sfinkterit zvogëlohen progresivisht.

Kokaina
Me marrjen e kokainës janë përshkruar senzacione të forta të orgazmës. Nën efektin e drogës, aktiviteti seksual është i rritur, kjo shpjegohet me faktin se kokaina vepron drejtpërdrejt në neuronet e sistemit të rikompenzimit duke rritur dëshirën seksuale. Por ky fenomen nuk është gjithmonë konstant. Në studimet e bëra del se 35% të meshkujve kanë vështirësi në ejakulim, ndërsa 80% e femrave kanë një zvogëlim të dëshirës seksuale. Tek femrat marrja kronike e produktit mund të shkaktojë çrregullime të ciklit menstrual me galaktorre, amenorrhe dhe vështirësi në orgazëm. Nga ana tjetër kokaina jep efekte qendrore të fuqishme (ndjenjen e fuqisë, hiperaktivitet, hipervigjilencë) dhe seksualiteti i kokainomanit mund të shkojë në hiperseksualitet duke rritjur numrin e partnerëve dhe rrezikun e kontaminimit me sëmundjet veneriane, SIDA etj.
Marrja kronike e kokainës tek meshkujt mund të shkaktojë vështirësi në ereksion dhe çrregullime të ejakulimit. Gjithashtu janë takuar edhe raste të gjinekomastisë.

Kanabisi
Produkti nuk ka përparësi afrodiziake të drejtpërdrejtë, mirëpo nga të rinjtë përdorues të kanabisit gjithmonë citohet aksioni stimulues i kënaqësisë seksuale, pra produkti ushtron njëfarë lirie dhe ekzagjerimi të senzacioneve. Kanabisi dëmton aftësitë riprodhuese, shkurton spermatogjenezën (procesin e krijimit të spermatozoideve) dhe rritë format jonormale të qelizave spermatike.

No comments:

Post a Comment