Jo Droges Blog

Friday, December 17, 2010

Drogat, ose qetësuesit që nuk mund t’i blesh në farmaci


Teknikisht drogat janë lëndë kimike, të cilat ndikojnë në funksionimin normal të trupit dhe/ose të trurit. Jo të gjitha drogat janë të paligjshme. Për shembull, kafeina (e cila gjendet në kafe ose në pijen “Coca-Cola”), nikotina (e cila gjendet në cigare) dhe alkooli, teknikisht janë të gjitha droga të ligjshme, edhe pse zakonisht nuk quhen të tilla. Barnat, si ato që shiten me recetë të lëshuar nga mjeku, ashtu edhe ato që shiten pa recetë nëpër farmaci, janë droga të ligjshme, të cilat na ndihmojnë të shërohemi nga sëmundjet, megjithëse edhe me to mund të abuzohet. Drogat e paligjshme janë droga të cilat janë kaq të dëmshme, saqë vendet në mbarë botën kanë vendosur t’i vendosin nën kontroll. Këto vende kanë miratuar disa ligje ndërkombëtare, në formën e konventave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të cilat përcaktojnë se cilat droga duhen vendosur nën kontroll. Të gjitha drogat të cilat trajtohen në këtë artikull janë të paligjshme. Kjo do të thotë se, në përgjithësi, është kundër ligjit nëse mban, përdor ose shet droga të tilla në gjithë botën. Drogat, në përgjithësi, kanë disa emra me të cilët quhen në zhargonin e rrugës dhe në këtë artikull do të gjeni disa prej tyre. Megjithatë, nuk bëhet fjalë për një listë të plotë dhe drogat mund të kenë emra të tjerë në vendin apo në qytetin ku jetoni ju. Gjithashtu, këto emra mund të ndryshojnë edhe me kalimin e kohës. Emrat e drogave në zhargonin e rrugës nuk kanë lidhje me fuqinë apo pastërtinë e një droge. Të gjitha drogat e paligjshme kanë një efekt të menjëhershëm fizik. Por drogat mund të pengojnë shumë edhe zhvillimin psikologjik dhe emocional, sidomos te të rinjtë. Në të vërtetë drogat mund të shkatërrojnë potencialin e atyre që i përdorin, të cilin ata nuk mund ta rifitojnë kurrë më, sepse drogat kthehen në një lloj zëvendësuesi të mekanizmave që na duhen në jetë. Edhe pse drogat në këtë broshurë përshkruhen veçmas, ato shpesh përdoren së bashku. Kjo përzierje e drogave mund të ketë pasoja të rënda dhe të paparashikueshme për trupin dhe mendjen e përdoruesve.

MINI-BOX
Llojet kryesore të drogave

Kanabis
Kokaina
Ekstazia
Heroina
Haluçinogjenët: LSD
Metamfetamina


KANABIS

Pseudonimet: Bongo, Ganja, Grass, Marijuana, Pot, Thai sticks

Çfarë është?
Kanabisi është një lëndë si duhani, me ngjyrë mes së gjelbrës dhe kafesë, e cila përbëhet nga lulet dhe gjethet e sipërme të thara të bimës së kërpit. Rrëshira e kanabisit, apo siç quhet ndryshe, hashashi, është mbetja e tharë e një lënde që nxirret nga pjesa e sipërme e lulëzuar e bimës së kërpit, e cila kthehet në pluhur ose presohet në forma. Vaji i kanabisit, ose siç quhet ndryshe, vaji i hashashit, është një lëng i cili nxirret ose nga bima e tharë ose nga rrëshira.

Si merret?
Zakonisht, të gjitha format e kanabisit merren përmes tymosjes, si duhani. Rrëshira dhe vaji i kanabisit mund edhe të hahen ose të pihen në formën e çajit.

Çfarë ndikimi ka te përdoruesi?
Kanabisi i jep përdoruesit një ndjesi relaksimi dhe kënaqësie dhe ndonjëherë i vendos në një gjendje euforie. Përdoruesi mund të provojë edhe një ndjesi më të fortë të shqisave të shikimit, nuhatjes, shijes dhe dëgjimit.

Cilat janë rreziqet që lidhen me përdorimin e kanabisit?
Në periudhën afatshkurtër, përdoruesit i rritet oreksi dhe pulsi. Përdoruesi ka probleme edhe me kryerjen e akteve fizike dhe intelektuale, si për shembull e ka të vështirë të ngasë makinën apo të mendojë në mënyrë logjike. Nëse merret në doza të mëdha, kanabisi mund të mprehë perceptimin e tingujve dhe të ngjyrave nga ana e përdoruesit, ndërkohë që ia bën të ngadaltë dhe të paqartë të menduarit. Nëse doza është shumë e madhe, efekti i kanabisit është i ngjashëm me efektin e drogave halucinogjene dhe mund të shkaktojë ankth, panik dhe, madje, episode psikopatike. Përdoruesit e rregullt të kanabisit përballen me rrezikun e zhvillimit të një varësie psikologjike deri në atë masë sa të humbasin interes në të gjitha aktivitetet e tjera si puna apo marrëdhëniet me njerëzit. Studimet e fundit në Mbretërinë e Bashkuar kanë treguar se ekziston një lidhje midis përdorimit të kanabisit dhe rritjes së skizofrenisë.

Rreziqe të tjera
Tymi i kanabisit përmban 50 për qind shumë katran se cigaret me përmbajtjen më të lartë të katrani, gjë që i vendos përdoruesit në një rrezik më të madh të kancerit të mushkërive dhe të sëmundjeve të tjera të sistemit të frymëmarrjes.

KOKAINA

Pseudonimet: Crack, Bazooka, Blanche, Cake, Coke, Lady

Çfarë është?
Kokaina është një pluhur i bardhë ose ngjyrë qumështi, i cili vepron si stimulues i fuqishëm. Kokaina nxirret nga gjethet e bimës së kokës. Gjatë rrugës mund të tretet ose të “pritet” me lëndë të tjera me qëllim që të rritet sasia. Droga “crack” është një kokainë e cila është përpunuar më tej me amoniak ose bikarbonat natriumi (sodë buke) dhe ngjan si flokëza ose kokrriza të vogla.

Si merret?
Zakonisht kokaina thithet me hundë ose injektohet, ndërsa droga “crack” tymoset si duhani.

Çfarë ndikimi ka te përdoruesi?
Kokaina i jep përdoruesit një ndjesi gjallërie shpirtërore dhe e vendos në një gjendje euforie. Gjithashtu, shpesh përdoruesi provon një rritje të përkohshme të niveleve të gatishmërisë nervore dhe të energjisë dhe një shtyrje në kohë të urisë dhe të lodhjes.

Cilat janë rreziqet që lidhen me përdorimin e kokainës?
Efektet afatshkurtra përfshijnë humbjen e oreksit, shpejtimin e frymëmarrjes dhe rritjen e temperaturës së trupit dhe të rrahjeve të zemrës. Përdoruesit mund të sillen në mënyrë shumë të çuditshme dhe të parregullt dhe, ndonjëherë edhe në mënyrë të dhunshme. Doza të tepërta të kokainës mund të shkaktojnë edhe konvulsione, krizë epilepsie, hemorragji cerebrale ose mosfunksionim të zemrës. Përdoruesit afatgjatë të kokainës rrezikojnë të kenë një mori problemesh shëndetësore, disa prej të cilëve varen nga mënyra se si e marrin këtë drogë. Thithja me hundë e kokainës dëmton shumë rëndë indet e hundës; tymosja mund të shkaktojë probleme të aparatit të frymëmarrjes; ndërsa injeksioni mund të shkaktojë abscese ose sëmundje infektive. Rreziqe të tjera, pavarësisht mënyrës si merret droga, përfshijnë varësinë e fuqishme psikologjike, kequshqyerjen, rënien në peshë, humbjen e orientimit, apatinë dhe një gjendje që ngjan me psikozën paranojake.

Rreziqe të tjera
Përzierja e kokainës me alkoolin është një koktej i rrezikshëm dhe mund të rrisë ndjeshëm mundësinë e vdekjes së papritur.

EKSTAZA

Pseudonimet: E, Snackies, New Yorkers

Çfarë është?
Ekstaza është një stimulues psiko-aktiv, i cili zakonisht prodhohet në laboratorë të paligjshëm. Në të vërtetë, termi “ekstazë” ka evoluar dhe nuk përdoret për të quajtur vetëm një lëndë kimike por në të vërtetë një gamë lëndësh të tilla të cilat kanë një efekt të ngjashëm te përdoruesi. Shpesh, çfarëdo tablete me stemë tani quhet “ekstazë”, pavarësisht përbërjes së vet kimike. Edhe pse kjo drogë zakonisht shpërndahet në formën e një tablete, ajo mund të jetë edhe në formë pluhuri ose kapsule. Tabletat mund të kenë forma dhe madhësi të ndryshme.

Si merret?
Zakonisht gëlltitet, por mund edhe të thithet me hundë ose të injektohet.

Çfarë ndikimi ka te përdoruesi?
Ekstaza mund të rrisë nivelet e ndjeshmërisë të përdoruesve dhe të shkaktojë një ndjesi afërsie me njerëzit që i rrethojnë. Kjo drogë mund ta bëjë përdoruesin më shoqërues dhe energjik.

Cilat janë rreziqet që lidhen me përdorimin e ekstazës?
Në periudhën afatshkurtër, ekstaza mund të bëjë që trupi të mos i përfillë sinjalet e problemeve siç janë dehidratimi, vilania dhe rraskapitja dhe mund të pengojë aftësinë e trupit për të rregulluar temperaturën. Për më tepër, ekstaza mund të dëmtojë rëndë organe të tilla si mëlçia dhe veshkat. Ndonjëherë mund të shkaktojë edhe konvulsione dhe pushim të zemrës. Doza të mëdha të ekstazës shkaktojnë një gjendje acarimi, ankthi dhe halucinacionesh të rënda. Përdorimi afatgjatë i ekstazës mund të dëmtojë disa pjesë të caktuara të trurit, duke shkaktuar kështu depresion dhe humbje të kujtesës.

Rreziqe të tjera
Tabletat ose pilulat që shiten për ekstazë mund të përmbajnë edhe lëndë të tjera që mund të jenë të rrezikshme dhe që mund të jenë të ndryshme përsa i takon fuqisë dhe pasojave të tyre

HEROINA

Pseudonimet: Smack, H, Horse, Junk, Harry, White lady

Çfarë është?
Heroina është një drogë që shkakton varësi dhe që ka veti kundër dhimbjes. Prodhohet përmes përpunimit të morfinës, një lëndë natyrore e cila nxirret nga bima e opiumit. Heroina e pastër është një pluhur i bardhë. Heroina e rrugës është zakonisht e bardhë në ngjyrë kafe sepse përzihet me lëndë të papastra, çka do të thotë që çdo dozë ndryshon nga tjetra.

Si merret?
Zakonisht injektohet, por mund edhe të thithet me hundë ose të tymoset.

Çfarë ndikimi ka te përdoruesi?
Heroina mund t’u heqë përdoruesve tensionin, ankthin dhe depresionin. Përdoruesi ndjehet i shkëputur nga lodhja ose dhimbja emocionale ose fizike. Në doza të mëdha, përdoruesi mund të provojë gjendje euforie.

Cilat janë rreziqet që lidhen me përdorimin e heroinës?
Pasojat afatshkurtra përfshijnë zvogëlimin e bebes së syrit, të përzier, të vjella, përgjumje, paaftësi për t’u përqendruar dhe apati. Heroina shkakton varësi të madhe fizike dhe psikologjike te përdoruesi. Përdoruesit rrezikojnë të zhvillojnë edhe një shkallë tolerance ndaj kësaj droge, çka do të thotë se me kalimin e kohës u duhet të marrin doza gjithnjë e më të mëdha për të provuar efektin që dëshirojnë. Përdorimi afatgjatë i heroinës ka një shumëllojshmëri pasojash të rënda për shëndetin. Mes të tjerash, mund të shkaktojë rënie të shpejtë në peshë, kequshqyerje dhe kapsllëk. Heroina mund të shkaktojë edhe çrregullim të ciklit mujor te femrat, përgjumje dhe apati kronike. Lënia e menjëhershme e heroinës shkakton simptomat e tërheqjes nga ky ves, të cilat mund të jenë të rënda dhe përfshijnë ngërç, diarre, dridhje, panik, sekrecione të hundës, të ngjethura dhe djersitje.

Rreziqe të tjera
Përdoruesit rrezikojnë të marrin mbidozë të heroinës, e cila mund të shkaktojë gjendje kome dhe vdekje për shkak të bllokimit të aparatit të frymëmarrjes.
Mare e pershtatur nga faqja zyrtare e "DEA"

No comments:

Post a Comment