Jo Droges Blog

Friday, December 17, 2010

Flet Genti, një ish-narkoman, që është duke u trajtuar në Komunitetin Emanuel

Flet Genti, një ish-narkoman, që është duke u trajtuar në Komunitetin Emanuel


Gentiani, një ish-narkoman, merr guximin dhe tregon për gazetën “Albania” historinë e tij të dhimbshme, atë të njohjes me drogën. Duke u trajtuar dhe kuruar në Komunitetin Emanuel në Tiranë, Gentiani na prezanton me jetën e tij dhe të gjithë kalvarin e kaluar në eksperiencën me drogën. Si filloi, si vazhdoi, dhimbjet, mundimet, vështirësitë, ndarja me shoqërinë, problemet me familjen dhe shkollën, të gjitha këto Gentiani na i rrëfen me një qetësi të madhe që na magjeps. Ai ia dedikon të gjithë këtë jetës së re që ka nisur në gjirin e Komunitetit Emanuel dhe vullnetit të tij për të dalë nga errësira ku, siç thotë dhe ai vetë, ka qenë i zhytur. Duke përfituar nga eksperienca e tij, ai u bën një apel të gjithë të rinjve që të kenë kujdes nga helmi i bardhë, si dhe të gjithë atyre që i kanë hyrë kësaj rruge që të dinë se ka edhe një mundësi për të dalë dhe për të rinisur jetën nga e para. 

Kur ka qenë kontakti juaj i parë me drogën dhe si e keni nisur atë?

- Kontakti im i parë ka nisur që në vitin e parë të gjimnazit, kur për herë të parë nga disa shokë të mi kam marrë një cigare hashashi. Kur e kam filluar kam menduar se është më tepër një duhan dhe jo një drogë dhe se nuk ka për të më shkaktuar ndonjë dëm. Por pikërisht aty gabova. Mendova se diçka e lehtë si hashashi nuk do të më sillte ndonjë dëm për fizikun tim, por qe ai që përgatiti rrugën për drogat e tjera më të forta. Më pas e vazhdova rregullisht hashashin, pas tij rashë në kontakt edhe me droga të tjera të lehta. Më pas, edhe pse mendoja se mund të shkëputesha, erdhi heroina. Kontaktin tim të parë me heroinën e kam patur në vitin e tretë të gjimnazit. Ajo filloi si një lojë, kur unë isha akoma duke përdorur hashashin. Nisën që rreth meje të më afroheshin edhe preparate disi më të forta, deri tek heroina. Atëherë ishte dhe mosha e atillë që unë nuk lija gjë pa bërë dhe pa provuar. Nisur nga kjo thashë ta provoja një herë edhe këtë. Por kurioziteti i madh ndonjëherë dhe të vret. E kam fjalën për kokainën, e cila është një gjë që një herë po nise ta provosh nuk i shkëputesh më. Lidhja me të të bëhet diçka e zakontë, pasi vetë ai lloj malli të bën që ta kërkosh gjithmonë.

Si arritët ta siguronit kokainën ose më mirë kush u “prezantoi” me të?

- Të thashë që kur nisa këtë lloj loje me drogën isha në një moshë që nuk i mendoja gjatë gjërat. Je në një moshë që kur nuk të mungon asgjë nis e prezantohesh me gjithçka. Për t’i thënë më konkretisht gjërat, dozën e parë e kam marrë falas nga njëri që njihja e që më parë pinim bashkë hashash. Ajo kohë ka qenë vërtet e bukur, kur rreth meje kisha gjithçka, nuk kisha as problemin për para dhe kur të gjithë, si prindërit ashtu dhe shoqëria, ishin akoma rreth meje. Në atë kohë isha mirë edhe në gjendjen time fizike dhe shëndetësore dhe mendoja se edhe pasi ta kisha provuar edhe kokainën mund të kisha kohë të shkëputesha. Por pikërisht në atë kohë, kur mendon këto gjëra, të nisin dhe problemet e para. Ngadalë fillojnë të nisin edhe krizat, në një kohë që akoma je duke menduar hë se e kam unë në dorë.


Në cilin moment nisën krizat për ju dhe kur filluat ta ndjenit se ishit nën varësinë e drogës?

- Nën varësinë e drogës vihesh që në momentet e para. Pikërisht që kur mendon se po luan me të. Unë nisa të ndjeja problemet e para rreth një vit pasi kisha nisur të përdorja ato të fortat. Aty nisa të shoh problemet e para. Fillimisht nuk po kisha më para, rashë edhe në mësime. Me shoqërinë nuk kisha më marrëdhënie të mira dhe po bëhesha gjithmonë e më agresiv dhe nervoz. Edhe me familjen time nisa të kisha probleme, pasi filluan grindjet e më pas sherret. Dilja vetëm me shokë, që, ashtu si unë, pinin edhe ata mall. Vetëm me kalimin e kohës kuptova se eksperimentet e mia me trupin tim nisën që të jepnin pasojat që i kishim dëgjuar prej të tjerëve. Në fillim e pinim, pastaj rrinim dy ditë pa të dhe kur na nisnin krizat e fillonim përsëri. Vetëm pasi e kishim marrë dozën e radhës e kuptonin se nga pas na vinin që të gjitha sikletet e tjera.

Cilat ishin pasojat më të këqija që ju linte përdorimi i heroinës?

Pasojat nga përdorimi i heroinës janë të shumta. Të parat që të kapin janë disa ethe të forta, të cilat të sjellin probleme edhe në frymëmarrje. Pas etheve, të nisin djersitje dhe një nxehtësi e madhe, ndjen se ke shumë vapë. Më tej të nis edhe një lodhje e tmerrshme dhe një këputje e gjithanëshme, nuk ke pikë force dhe nuk mund të bësh dot asgjë. Më tej të nisin dhimbje në formë krizash dhe prerje të mesit dhe pasi kalon të gjitha këto të kap një dobësim dhe një mërzi e madhe. Gjatë gjithë kohës që të shoqërojnë dhimbjet dhe krizat ke padyshim dhe lodhje, dhimbje kockash, kyçesh, dhimbje të mëdha koke, si dhe qëndron gjithmonë me nerva dhe i tendosur. Je dhe shumë konfuz, pasi në tru të vërtiten mendime të zymta ku 200 të vijnë dhe 200 të ikin. Ndihesh gjithmonë në mëdyshje, por nuk mendon për gjë tjetër përveçse si të sigurosh ca para për të blerë mall. Në ato kohë nuk bën dot pa të, por dhe kur e pi nuk është se të stabilizon gjërat.

Për sa kohë keni qenë në këtë situatë dhe për sa kohë keni pirë mall?

- Fillimisht, kur nisa, e përdora mallin pa ndërprerë përreth dy vjet e gjysmë. Gjatë kësaj kohe, droga më e fortë me të cilën u takova dhe vazhdova gjatë ishte heroina. Më pas arrita ta ndërpres atë përreth dy vjet, pasi pësova një aksident dhe kështu arrita që ta lë, edhe pse nuk isha në komunitet. Por duke qenë se vazhdova pas aksidentit që të bëja të njëjtën jetë si më parë, vura sërish kontakte me kokainën. Kjo filloi sepse rrija gjatë me shoqërinë, shkoja në shtëpi kur më dilte koha, bridhja natë e ditë rrugëve e për më tepër edhe pse nuk merrja kokainë vazhdoja të pija hashash si cigare, pasi nuk më dukej ndonjë problem i madh. Pas hashashit dhe të gjitha problemeve të tjera, vjen një moment kur të gjitha gjërat të mblidhen dhe nuk di se çfarë të bësh. Ndihesh vërtet keq dhe mendon që të rifillosh. Drogën mund ta nisësh ose ta rinisësh edhe nga një mërzi e madhe, por ndonjëherë edhe nga ndonjë gëzim dhe kënaqësi e madhe. Në këto momente të gënjen mendja dhe thua sikur ta pi një dozë ta çlodh njëherë trurin, pa të shkojë ku të shkojë. Dhe kështu, pas dy vjetësh pauzë, rinisa sërish edhe dy vjet të tjerë përdorimin e kokainës, fazë kjo që për mua ishte fare degraduese si njeri dhe si fizik. Pikërisht në këtë periudhë, kur mendova se ishte dhe fundi, vendosa të vija në komunitet pasi nuk kishte mbetur më për mua asnjë mundësi.


Përse narkomanët marrin në momente të caktuara metadon?

- Metadoni është një zgjidhje momentale. Ai të ndihmon deri diku, kur nuk ke zgjidhje tjetër dhe të ul disi krizat dhe dhimbjet kur nuk ke përdorur një drogë tjetër. Megjithatë, metadoni ndonjëherë mund t’i ketë krizat dhe dhimbjet më të forta se sa mund t’i ketë ndonjë substancë tjetër. Ai ndonjëherë të jep kriza edhe më të forta se heroina, madje të dhemb edhe zemra ose të krijohet tharja e kockave. Këtu kanë ardhur dhe djem që kanë përdorur më parë edhe metadonin dhe unë i kam parë që kanë qenë në një gjendje vërtet të keqe. Këtu, në Qendrën Emanuel, nuk përdoret metadoni, prandaj dhe unë nuk e kam përdorur atë. Di që ai jepet edhe në Spitalin Ushtarak për të sëmurët nga droga, por dhe shoqata të tjera e shpërndajnë atë. Duke parë dhe eksperiencat e ndryshme se si kanë qenë djemtë kur kanë ardhur këtu, punonjësit e qendrës nuk e rekomandojnë një preparat të tillë. Por edhe nëse do ta pije për të kaluar krizat një apo dy javë apo dhe nëse do të merrje qetësues për gjumë, procesi me metadon do të zgjaste akoma më shumë deri dhe në 25 ditë.

Pse menduat se duhet të vinit këtu, në komunitet? Kush ua sugjeroi?

- Unë isha në dijeni edhe më parë për ekzistencën e një komuniteti të tillë, pasi e kisha dëgjuar këtë nga djem të tjerë që kishin patur problemet e mia. Disa prej tyre kishin qenë dhe ishin shëruar, por ka patur edhe të tjerë që i janë rikthyer drogës duke qenë se i janë kthyer të njëjtës jetë. Kurse për mua çështja ishte se kisha arritur një moment që po bëja gjëra krejtësisht të pamenduara dhe të rrezikshme. Malli më kishte nxjerrë atë pjesë të jetës sime që nuk kisha arritur kurrë ta njihja. Dhe kur nis e bën gjëra komplet jashtë karakterit tënd, pikërisht aty dije se po të vjen fundi. Nisin e të mbyllen të gjitha mundësitë. Me njerëzit bëhesh për herë e më tepër i lig dhe nuk të mbeten shumë rrugë për të zgjedhur. Aty e kupton se duhet të gjesh një zgjidhje patjetër, pasi nuk ke rrugëdalje dhe nuk ke se si e kalon më jetën. Duke nisur se kisha dëgjuar edhe për Komunitetin Emanuel dhe duke parë se nuk më kishte mbetur ndonjë zgjedhje e madhe për të bërë, vendosa që t’i telefonoja qendrës ditore ose “Qendrës së Dëgjimit” që ndodhet te “Zogu i Zi” në Tiranë. Ata më lanë një takim dhe unë kur shkova fola me një punonjëse sociale si dhe me znj. Besa. Pasi e diskutuam gjatë problemin tim, ata vendosën që të më sillnin këtu në komunitet për të nisur një jetë të re.

Prej sa kohësh jeni në Komunitetin Emanuel dhe si ndiheni?

- Që kur kam ardhur këtu po bëj rreth 5 muaj dhe më duket se kam rigjetur vetveten. Aktualisht ndihem shumë mirë, pasi edhe këtu është mjaft mirë. Ky është një vend i qetë dhe i këndshëm, ku çdo njeri që ka një problem gjen qetësinë, paqen dhe harmoninë e munguar. Që në momentin kur rashë në kontakt me personat e këtij komuniteti, nisa të ndihesha shumë mirë dhe e kuptova se nuk do të isha më vetëm. Kur erdha këtu u mirëprita nga të gjithë dhe ndjeva një ngrohtësi vërtet të madhe. Dua të them se këtu janë vetë kushtet dhe njerëzit që të bëjnë të ndihesh vërtet mirë. Po ashtu dhe terapia që ndiqet këtu për ne është vërtet e veçantë. Ajo të shërben që të ndihesh vërtet mirë dhe në formë dhe ndryshimet pozitive fillojnë e ndihen. Siç ju tregova edhe më sipër, kisha provuar vetë që ta lija mallin, por jeta që unë bëja ishte sërish e njëjta dhe përsëri rashë viktimë. Kurse këtu mund t’ju them se jeta që bëj është krejtësisht ndryshe dhe e mbushur plot me aktivitete e punë.

Si e kaloni ditën në Komunitetin Emanuel dhe a mendoni se po shëroheni?

- Po, mendoj se po shërohem. Terapia këtu është mjaft intensive. Ajo është psikike dhe fizike. Ka mjaft orë psiko-pedagogjike, por edhe elementë të shoqëruar që janë ndihmës. Përsa i përket aktivitetit fizik, ai është i mbushur me sporte, lojëra, animacione, si dhe me punë të ndryshme, ku mund të mësosh zanate të vlefshme për jetën. Në këtë mënyrë, ne fillimisht mësojmë ta mbajmë mendjen larg nga malli e më pas të gjejmë një stil tjetër jete. Duke u marrë me aktivitete, këtu i harron të gjitha hallet, problemet, mërzitë dhe të kthehet harmonia e humbur. Për të harruar gjërat, këtu nuk ke nevojë të pish më. Për këtë na ndihmojnë tepër edhe orët psiko-pedagogjike, ku ne i rikthehemi problemeve tona por edhe mundohemi që të analizojmë dhe të shikojmë çastet kur ne e kemi patur gabim, me qëllim që të kemi një formim sa më intelektual për jetën. Në këtë mënyrë, ne gjejmë atë “pse”-në që na ka shtyrë më parë të përdornim mallin dhe se si duhet të veprojmë aktualisht. Kjo të shërben që të gjesh zgjidhje edhe në të ardhmen në të tjera momente të vështira që jeta mund të të vërë përpara dhe jo direkt t’i kthehesh mallit, duke gjetur kështu një zgjidhje që nuk është zgjidhje.

Si i keni marrëdhëniet me djemtë e tjerë të komunitetit që kanë të njëjtat probleme si ju?

- Këtu ke të bësh me tipa që kanë histori nga më të ndryshmet, por kush vjen në komunitet menjëherë bëhet i barabartë me të tjerët. Të gjithë ata që vijnë në komunitet mundohen që të përshtaten me të gjithë. Kjo është dhe një prej qëllimeve primare të këtij komuniteti, i cili mundohet që fillimisht t’i rregullojë njerëzit përsa i përket sjelljes së tyre. Po kështu, komuniteti mundohet që të të rregullojë marrëdhëniet me të afërmit, me miqtë, me shokët në komunitet, në raport me sjelljen dhe me vetveten. Në këtë mënyrë, çdokush fillon të ndryshojë pa e kuptuar modelin e jetesës. Duke parë këtë që të gjithë përpiqen që jetën këtu ta bëjnë sa më normale dhe sa më harmonioze, pasi të qëndruarit për një kohë të gjatë bashkë sjell edhe përshtatshmërinë. Këtu ne që të gjithë në një vend hamë, në një vend rrijmë, në një vend lozim, punojmë bashkë dhe çdo gjë këtu e rregullojmë bashkërisht për të mirën tonë dhe të njëri-tjetrit. Në këtë mënyrë, do s’do, me të gjithë do të miqësohesh dhe do të bëhesh shok, për më tepër nuk mund të lidhesh dot me persona në veçanti. Këtu nuk mund dhe nuk duhet të krijohen grupe të ndara, sepse, kur njeri më pas largohet nga komuniteti, të tjerët mund ta ndjejnë mungesën, prandaj mbahet një unitet dhe një bashkësi.

E keni ndjerë ndonjëherë nevojën për mall gjatë qëndrimit tuaj në komunitet?

- Edhe pse kam një kohë relativisht të gjatë këtu, nevojën e mallit nuk e kam ndjerë asnjëherë. Nuk e kam ndjerë pasi kur kam ardhur këtu kam ardhur me mendjen për t’u ndarë përfundimisht me të. Këtu kam ardhur pasi e kam kaluar fazën e astinencës, që është periudha e krizave. Kur erdha në këtë vend, pashë se këtu dita ishte komplet ndryshe, kishte punë, aktivitet, humor, harmoni dhe dashuri. Ia kam kaluar për bukuri deri tani dhe nuk e ndiej aspak ditën kur kalon. Por edhe kur kam ndonjë moment mërzie, me anë të punonjësve këtu kalojmë gjithçka pa e vënë re. Nëse mëson që të kalosh edhe këto momentet e mërzisë, kur të dalësh që këtu do të dish që të përballosh vështirësi edhe më të mëdha.

Si i keni raportet me familjarët tuaj, sidomos tani që jeni këtu?

- Me familjen time gjithmonë kam patur raporte shumë të mira. Të gjithë ata janë munduar që të më mbajnë afër gjithmonë dhe të më japin çdo gjë. Para se të vija këtu, i shkëputa disi marrëdhëniet me ta, edhe sepse isha një tip i atillë që prej mallit isha bërë mjaft nervoz. Duke qenë gjatë gjithë kohës në varësinë e drogës, shpesh nuk e kisha mendjen se çfarë hallesh kishte familja ime. As nuk merakosesha më parë se prindërit dhe të afërmit e mi shqetësoheshin shumë për mua dhe para se të vija i kam patur marrëdhëniet shumë të acaruara. Por ata gjithmonë janë dhënë me mish e me shpirt që unë të gjeja një rrugëzgjidhje dhe ta lija mallin. Kurse tani, pasi kam ardhur dhe po jetoj në komunitet, marrëdhëniet e mia me familjen janë mjaft të mira dhe mendoj se do të jenë gjithmonë kështu që këtej e tutje.


Pas gjithë kësaj jete me probleme dhe pas këtyre terapive këtu, a mendon se do të heqësh dorë nga malli?

- Unë nuk mendoj, por unë po heq dorë nga droga. Po bëj të pamundurën që të mos i rikthehem më asaj jete që nuk ka qenë aspak e bukur për mua. Por duhet të dini se drogën është shumë e lehtë që ta nisësh, por shumë e vështirë që ta lësh dhe për gjithë jetën do të mbetet një njollë. Kjo të paktën për 10 vitet e para që shkëputesh nga droga. Gjatë kësaj kohe duhet të ecësh shumë përpara, duhet të bësh maksimumin si dhe duhet të punosh shumë për të rregulluar jetën tënde pa e kthyer kokën prapa sepse droga mund të të kapë përsëri.

Cili do të ishte mesazhi juaj për të gjithë të rinjtë përdorues ose jopërdorues të drogës?

- Mesazhi im për ta do të ishte: Drogën mos e filloni as për qejf, as për shaka dhe as për kuriozitet! Fillimi mund të jetë i bukur, por vazhdimi është i dhimbshëm dhe të çon drejt fundit. Më vjen keq edhe për ata që e kanë nisur e që janë shumë. Më vjen keq që kanë rënë në këtë llum dhe lutem që të gjejnë edhe ata një zgjidhje sa më parë dhe të vijnë, pse jo, edhe këtu në komunitet. Mund t’u them se jeta bëhet edhe pa mallin.

1 comment:

  1. Isha një njeri shumë i vetmuar ... Në janar, Dr. Obodo hodhi një magji për të gjetur një zonjë Austriake për mua. E diela e parë në mars takova një grua të mrekullueshme vietnameze. Ishim të angazhuar për gjashtë javë dhe u martuam vitin e ardhshëm. Dr.Obodo më ka dhënë zonjën e ëndrrave të mia.visit Dr. Libero Via:
    (templeofanswer@hotmail.co.uk)
    (whatsapp +234(815) 542-5481) Bloomington, MN

    ReplyDelete